Eksploziv makinës së të dënuarit për vrasje

Sep 2, 2011 | 9:36

TIRANE – Makina e një ish-të dënuari për vrasje shpërtheu në orët e para të mëngjesit të djeshëm, nga një sasi eksplozivi e vendosur në gomën e parë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Dora d’Istria”, pranë gjimnazit “Petro Nini” në kryeqytet, ku ishte parkuar gjatë natës makina tip “Benz Regina”, me targa të Tiranës, në pronësi të Elvis Gaçaj. Sipas burimeve nga Policia, shpërthimi ka ardhur nga vendosja e rreth 50 gramëve eksploziv në gomën e përparme tek krahu i shoferit dhe ka sjellë vetëm dëme të lehta materiale. Ngjarja shpjegohet nga policia më tepër si një paralajmërim për 36-vjeçarin Gaçaj, nisur nga sasia e eksplozivit të vendosur në mjet. Pronari i makinës, nga ana tjetër, gjatë deklarimeve që ka dhënë në polici, pretendon se nuk ka konflikte  apo hasmëri. Shpërthimi sipas banorëve të zonës ka qenë i fuqishëm, madje është ndier nga pothuajse të gjithë banorët e pallateve pranë vendit ku ishte parkuar makina, rreth orës 03:00 të mëngjesit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, nga Komisariati Nr.2, Antiterrori dhe Krimet e Rënda. Gjatë hetimit të ngjarjes, policia ka zbuluar disa precedentë të mëparshëm në lidhje me pronarin e mjetit, Elvis Gaçaj. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se Gaçaj është një ish i dënuar për vrasje në vitin 1992, gjithashtu ish i dënuar edhe për një plagosje në vitin 2008. Nga të dhënat e gjetura në dosjet e policisë së kryeqytetit, rezulton që i dëmtuari në moshën 18-vjeçare ka vrarë aksidentalisht me thikë shokun e tij. Duke e goditur në njërën kofshë, i ka prerë arterien kryesore dhe ai ka gjetur vdekjen në spital. Për këtë ngjarje ai është dënuar me 14 vjet burg, dënim të cilin e ka kryer para disa vitesh. Vetëm pak kohë pasi kishte dalë nga burgu, Gaçaj përfundon sërish në pranga, këtë herë 32 vjeç dhe akuzohej për plagosje të lehtë me dashje. Sipas Policisë, ai u arrestua më 26 korrik të vitit 2008, pasi kishte plagosur shtetasin Sefer M.. Grupi hetimor po verifikon këto ngjarje, nëse mund të kenë lidhje me shpërthimin e djeshëm në automjetin e Gaçajt. Megjithatë, burime nga Policia thanë se nuk përjashtohet mundësia që eksplozivi është vendosur për ndonjë konflikt tjetër që 36-vjeçari mund të ketë pasur së fundmi.

© Panorama.al

Te lidhura