EKSKLUZIVE/ Ndihmësi i De Biazit në pankinën e Tiranës, bardheblutë bëjnë reformë të plotë pas Miles

Sep 7, 2025 | 17:02

Tirana ka larguar Vangjel Milen nga drejtimi i skuadrës pas vetëm dy javësh në drejtim të skuadrës në kampionat. Edhe pse fillimisht i ishte besuar atij një projekt i ri, bardheblutë kanë kërkuar dhe afruar një trajner më ekspert.

veroneze

Ai që do të drejtojë bardheblutë në vijim është një emër që vjen nga Itali, por që njeh mirë futbollin shqiptar. Roberto Bordin, italiani i cili drejtoi për disa javë Elbasanin në sezonin e kaluar, tashmë do të jetë në drejtimin e bardhebluve. Megjithatë, “Panorama Sport” mëson se ai nuk do të jetë i vetëm në drejtimin e Tiranës, pasi edhe asistenti i tij do të jetë një italian, i njohur në vendin tonë.

Ndihmësi i Bordin në drejtimin e Tiranës do të jetë Marko Veroneze. Ky i fundit, ka qenë asistenti i Xhani De Biazit në pankinën e Shqipërisë pas larimit të Paolo Tramexanit nga stafi i tij dhe ndoqi ish-trajnerin e Kombëtares edhe te aventura te Deportivo Alavesh në Spanjë.

Pas disa eksperiencave në akademi të ndryshme në Itali, Veroneze ka drejtuar së fundmi skuadrën e Ceahalul Piatra Neamt në Rumani. Por tashmë ai do të bëhet pjesë e stafit të Bordin në klubin bardheblu, për ta ndihmuar atë në rrugëtimin që po ndërmerr, duke shënuar kthimin në Shqipëri pas 8 vitesh.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura