Zgjedhjet e 8 majit, për fat të keq, me situatën e tendosur politike te ne, po u ngjajnë përherë e më shumë zgjedhjeve të përgjithshme, duke humbur përmasa kyçe vendore. Asnjë vështrim kritik dhe bilanc i punës së kandidatëve, deri tani kryetarë bashkish apo komunash, që kandidojnë sërish. Asnjë shifër për të ardhurat e mbledhura, për shpenzimet e shkurtuara, për investimet e kryera. Asnjë vlerësim apo qoftë edhe përmendje e vendeve të reja të punës të hapura në bashki apo komunë. Vërtet bllokimi politik dhe përkatësia partiake kanë luajtur shumë rol në menaxhimin e punëve nëpër bashkitë dhe komunat tona, por nëse drejtuesi vendor do të kishte pasur vullnet dhe moral për t’u hyrë punëve të komunitetit, ndryshimi do të dukej si nata me ditën. Ka për këtë, bashki e komuna shembullore, sikurse ka syresh çerdhe të paaftësisë, servilizmit, nepotizmit e korrupsionit. Një listë e atyre njësive vendore të suksesshme në katër vitet e fundit dhe një tjetër e atyre që kanë bërë kokrrën e qejfit pa u merakosur për shërbimin ndaj popullatës, nuk ka pse të mos bëhet publike. Nuk ka rëndësi fare përkatësia partiake e drejtuesve në njësitë e të dyja listave. Mesazhi që del është se bëhesh gazi i botës dhe dënohesh me peshën e opinionit publik kur ke rezultate mjerane, sikurse dhe merita vlerësohet kur rropatesh dhe arrin shumë për interesin komunitar. Por, pavarësisht se sa do të mund të jepen këto lloj mesazhesh publike, sot po ndodh një gjë tejet shqetësuese. Po rrezikohet që kudo në vend, rëndom, të votohet partia prej nga vjen kandidati, dhe jo prurja e ideve apo cilësisë së menaxhimit që ai/ajo kandidate u sjell njerëzve në qytetin apo komunën përkatëse. Megjithatë, ende ka pak hapësirë në këtë një muaj e ca ditë që kanë mbetur, për të sjellë ide të reja menaxhimi dhe administrimi ekonomik në qytetet dhe komunat tona. Ato kanë kaq shumë nevojë për këtë. Për të rritur arkëtimin nga taksat lokale dhe kësisoj fondet për investime në nivel qyteti apo komune. Për të mos pritur vetëm nga buxheti qendror i qeverisë, apo për të kaluar gjysmën e kohës korridoreve të ministrive ekonomike, në kërkim fondesh. Këtë mund ta bëjnë kandidatët që duan realisht të kryejnë një ndryshim në jetesën e komunitetit ku banojnë, duke vënë në dispozicion të këtij ndryshimi dijet dhe energjitë e tyre të pastra, e jo llogari të ftohta pasurimi për vete dhe ata që i kanë caktuar si kandidatë. Por, që të arrijnë ta bëjnë, këta kandidatë nuk duhet thjesht të jenë mbartës të orientimeve e zbatues të verbër të urdhrave të të parëve partiakë. Sa të pavarur, krahas integritetit të tyre moral e intelektual, mund të jenë këta kandidatë? Ka ardhur koha që drejtuesit vendorë të fillojnë të maten apo të vlerësohen për punën e ardhshme nga aftësia e tyre për të rritur mirëqenien e zonës që do të drejtojnë, qoftë kjo bashki apo komunë. Kjo aftësi mund të përkthehet në numrin e vendeve të reja të punës të hapur në zonë (bashki apo komunë), me investimet e sjella nga fondet qendrore apo nga burime të tjera, me numrin dhe cilësinë e shërbimeve sociale të dhëna kategorive të njerëzve më në nevojë etj. Ndoshta kandidatët mund t’i ndihmojë në pavarësinë e tyre një kontratë e lidhur me zgjedhësit, e firmosur dhe e vulosur edhe në noterinë e qytetit apo të komunës. Një letër e tillë, e vërtetuar dhe e bërë publike, mund të jetë një justifikim për kandidatin që nesër kthehet në kryetar bashkie apo komune, që t’i thotë kryetarit të partisë së vet se ka angazhime që e lidhin edhe me qytetarët e qytetit apo të komunës që e kanë votuar. Ka dhe mënyra të tjera për t’i bërë të përgjegjshëm pushtetarët e rinj vendorë përpara zgjedhësve të zonës që përfaqësojnë. Në mungesë të drejtuesve partiakë që t’i servirin këto mënyra, ndoshta shoqëria civile dhe media e përgjegjshme e vendit mund të lëvizin në këtë drejtim në 38 ditët që ngelen nga takimi i 8 majit…
© Panorama.al












