Egjipti i thotë “Po” ndryshimit të Kushtetutës

Mar 21, 2011 | 9:35

Rezultatet e referendumit historik në Egjipt i hapën rrugën ndryshimeve kushtetuese, të cilat i janë përshtatur rregullave shtetërore të vendeve demokratike në botë, pas rrëzimit nga pushteti tri dekadash i Hosni Mubarakut. Shumica e egjiptianëve i hapën rrugën ndryshimeve në vend. Sipas agjencisë së lajmeve, “Mena”, rezultatet jo përfundimtare të referendumit të zhvilluar ditën e djeshme, nga 75 deri në 90 për qind e egjiptianëve, i janë përgjigjur “po” ndryshimit të Kushtetutës. Rezultat është parë pas numërimit të fletëve të votimit në katër rajone të ndryshme të vendit. Sipas autoriteteve, pjesëmarrja në votim ka kaluar 80 për qind të votuesve. Egjiptianët votuan të shtunën për të miratuar apo për të rrëzuar propozimet për ndryshimin e Kushtetutës, mbi bazën e së cilës do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në muajin shtator. Këto zgjedhje do të nxjerrin një qeveri të drejtuar nga politikanë civilë, e jo më nga udhëheqja e jashtëzakonshme e Komitetit të Lartë Ushtarak.

© Panorama.al

Te lidhura