Këngëtarja me origjinë shqiptare Edita Abdieski ka fituar çmimin “Diva awards 2011”, si talente e vitit në Gjermani. Të martën në mbrëmje në spektaklin “Talenti i vitit”, Edita ka fituar kategorinë “Diva award”, duke u bërë konkurencë e fortë ndaj shumë këngëtarëve të njohur gjerman. Ndarja e çmimeve është zhvilluar në hotel “Hof Bayerscher” dhe për këtë vit me çmimin më prestigjioz është nderuar pikërisht Edita Abdieski, e cila para se të fitonte “X factory” kishte udhëtuar nga Berni për të dominuar skenën gjermane. Atë natë gjithashtu janë ndarë edhe 14 çmime tjera me të cilët u shpërblyen edhe këngëtari Zucchero, aktorët Michel Piccoli, Anna Fisher, Herbert Knaup etj. “Nëse çmimi për fituesin e “X Factor” m’u duk i përshtatshëm, çmimin “Diva” është një barrë e rëndë, e cila peshon mbi supet e mia, për shkak se tashmë jam një hap më përpara se ku kam qenë”, është shprehur e kënaqur Edita. Sukseset për këtë talent shqiptare nuk kanë të ndalur. Në një kohë rekord, pasi fitoi vendin e parë tek “X Factory”, ajo realizoi duet me Ricky Martin, finalizoi videoklipin e këngës “The key”, fitoi çmimin “Diva award” si dhe është nominuar për çmimin “Prix Walo” si zbulim i vitit në Gjermani. Përveç muzikës, Edita në opinion njihet edhe si tekstshkruese, kurse ka të përpunuara diku mbi 15 këngë nga këngëtarët botërorë.











