Edi Rama, vjedhësi i kohës

Mar 26, 2011 | 12:51

LUCIANO BOCI

Koha është elementi kryesor i përvijimit të jetës sonë. Është ajo që na bën e na zhbën dhe, tek e fundit është pasuria më e barabartë që posedojmë, vlera e së cilës përcaktohet nga mënyra se si e konsumojmë, e përdorim ose na e kushtëzojnë që ta përdorim.
Ndër ne është pasuria që shfrytëzohet më pak dhe që pengohet më shumë, të cilën tentojmë ta kapim, ta arrijmë ose ta tejkalojmë gjithmonë sipas një pike referimi. Rezultati është suksesi i të gjitha niveleve, fryt i përpjekjeve individuale dhe kapërcim i sfidave e pengesave. Kjo është e përditshme, sikurse është globale, është sa individuale, po aq dhe kolektive. Kjo pasuri e secilit prej nesh, ndërkohë, është më e prekshmja ndaj ndërhyrjeve të të tjerëve dhe ndaj vjedhjeve. Vjedhësit janë të ndryshëm: pengues objektivë, pengues pa dashje, vjedhës ordinerë ose vjedhës të strukturuar dhe të sofistikuar.
Ndër këta, njëri spikat më shumë për ngarkesën publike që ka, përgjegjësitë dhe mënyrën se si vazhdon të na e vjedhë pa u skuqur këtë pasuri të çmuar, dhe ky është kryetari “pa dashje” i “PS”-së dhe ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, aktualisht kandidati hipotetik i kësaj bashkie nga vetë kjo forcë.
Hajdutëria dhe makutëria që e ka karakterizuar përgjatë sundimit të tij në krye të Bashkisë më të madhe, e ka shtyrë edhe drejt ëndrrës së posedimit të këtij “malli”, të cilën na e rrëmben nga pak ose shumë, çdo ditë nga jetët tona.
Rama është vjedhësi i kohës së vetë PS-së. Pasi e shfytyroi dhe i dha pamjen e vetes së vet, i mori asaj dhe kohën. Si e tillë, sot kjo parti ka vetëm një dimension: të shkuarën dhe i mungon dimensioni i së sotmes dhe ai i së ardhmes as që mund të përfytyrohet. Të gjithë e dimë që ajo tashmë është kthyer në vitet e mbrapshta të terrorit, të luftës guerile, të goditjes së institucioneve, të ëndrrave diktatoriale e bllokiste. I vetmi ndryshim është që sot nuk ka veshur uniformën e atyre viteve “made in Jugosllavia”, por mbathet me new entry-it më të fundit të salloneve të modës, për shkak të pasurisë marramendëse që qarkullon.
Rama është vjedhësi i kohës kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Pasi u përpoq në dyert e kancelarive europiane të kthente kohën mbrapsht për të gjithë ne, me letra dhe misionarë të mbrapshtë, u mundua ta ndalte atë më 21 janar, me mënyrat e nostalgjisë. Sigurisht që kjo nuk i mjaftoi. Vazhdon të nxjerrë pengesa e pengesa se e si të nxijë ardhmërinë, të ndërtojë imazhin negativ për të gjithë ne si fotokopje të personalitetit të vet, me qëllim që aspirimi ynë për vendin që na takon në Europë të trandet, të ndalet dhe koha për ne të mos jetë një infinit drejt së ardhmes, por një count-down, si vetë mendja e Edvinit.
Rama është vjedhësi i kohës së çdo qytetari të thjeshtë të Tiranës dhe çdonjërit që vjen në Tiranë, i cili çdo ditë rend të fitojë kohën e tij. Stresi që të shkakton arritja e një objektivi të thjeshtë në kryeqytet është i pamatë. Askush nuk ka orare të sakta takimi dhe askush nuk e di orarin e fillimit të një pune dhe kthimit pas saj në shtëpi, se kudo atje, fshehur pas trysnisë qarkulluese, kaosit dhe ndotjes, është ai Vjedhësi moskokëçarës, që është i interesuar vetëm për bilancet fitimprurëse të aferave në kurriz të atyre që i vjedh. Tirana i ngjason qytetit që nuk ka më kohë dhe ku matësit më të saktë (pasi dhe sahati kryesor nuk e tregon orën e saktë) janë elementet natyrore: dita, nata, dielli, hëna, shiu etj. Çdo gjë turbullohet në një kaos kohor, i cili harmonikisht është trazuar me kaosin ndërtimor dhe arkitektural. Një udhëtari spontan vetja do t’i dukej si personazh i një sim-city, ku ngjyrat që ka koha janë vetëm nuancat e grisë dhe ku njerëzit nuk e dinë se ku ndahet dita nga nata, koha funksionale nga ajo jofunksionale. Siç duket, Rama, meqenëse e ka shumë për zemër veten, mendon se mund të jetë dhe kryetari i kohës, të cilën do të donte ta administronte si vetë PS, apo si vetë Bashkinë, pa e ditur se de facto ai ka humbur të gjitha atributet e të qenit si kryetar i PS-së dhe si kryetar i Bashkisë. Dhe aq më pak ai mund të jetë kryetari kohës, e cila dukshëm po i përgatit atij dënimin që i takon.
Kodet penale më të avancuara të demokracive të shquara ende nuk kanë një dënim për këta lloj vjedhësish, por sigurisht që kanë përpunuar një mekanizëm që tipat si Rama të mos konsumojnë veprën e tyre më të fundit penale. Ky mekanizëm është pikërisht vota. Dhe që koha jonë të mos vidhet më, ajo duhet të shkojë te njerëzit që kohën e shtyjnë përpara.

© Panorama.al

Te lidhura