Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar sot (5 korrik) kryeministrin Edi Rama, se është duke gënjyer për Porto Palermon.
Këlliçi ka paraqitur dokumente ku Edi Rama ka dhënë leje për park fotovoltaik në Porto Palermo.
“Ky vendim bie ndesh me vendimin e KKT nr. 07, datë 27.07.2022, i cili shpalli Gjirin e Porto Palermos zonë me rëndësi kombëtare në planifikim dhe miratoi kufijtë e zonës së mbrojtur dhe zonimin e brendshëm të ekosistemit natyror detar-bregdetar të Parkut Natyror Porto Palermo”, shkruan ai në postimin e tij në rrjetin social, që e shoqëron edhe me dokumentet.
Më tej ligjvënësi opozitar vë në dukje se mashtrimet dhe skandalet e qeverisë janë edhe shkaku i zemërimit qytetar prej më shumë se një muaji në shesh.
“Qytetarët e kanë kuptuar të vërtetën. Prandaj sheshet po mbushen. Sepse Shqipëria nuk është pronë e një njeriu dhe as plaçkë për t’u ndarë mes një grushti përfituesish”, thekson ai.
Në fund e shoqëron edhe me rendin e ditës së mbledhjes ku është miratuar parku fotovoltaik.
Reagimi i deputetit të PD, Belind Këlliçi:
“Sot Edi Rama deklaroi se paska marrë në mbrojtje Porto Palermon. Por dokumentet zyrtare tregojnë krejt të kundërtën!
Në rendin e ditës së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, datë 25.09.2025, ora 13:00, në pikën nr. 60, është miratuar draft vendimi për ndërtimin e një impianti fotovoltaik 2 MË në Porto Palermo, me subjekt zhvillues Sea Solar Energy sh.p.k.
Ky vendim bie ndesh me vendimin e KKT nr. 07, datë 27.07.2022, i cili shpalli Gjirin e Porto Palermos zonë me rëndësi kombëtare në planifikim dhe miratoi kufijtë e zonës së mbrojtur dhe zonimin e brendshëm të ekosistemit natyror detar-bregdetar të Parkut Natyror Porto Palermo.
Pra, ndërsa flet për mbrojtje, në praktikë jep leje ndërtimi.
Edhe Porto Palermo rezulton pjesë e të njëjtit model: projekte të planifikuara për klientët, miqtë dhe oligarkët. Sot, e gjithë harta e Shqipërisë, me pasuritë natyrore, bregdetin dhe bukuritë e saj, është kthyer në një tryezë ku ndahen interesa private në kurriz të interesit publik.
Qytetarët e kanë kuptuar të vërtetën.
Prandaj sheshet po mbushen. Sepse Shqipëria nuk është pronë e një njeriu dhe as plaçkë për t’u ndarë mes një grushti përfituesish.
Më poshtë gjeni rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit të datës 25.09.2025, ku në pikën nr. 60 evidentohet qartë miratimi i lejes për ndërtimin e parkut fotovoltaik në Porto Palermo”.
© Panorama.al















