TIRANE – Dy persona me maska dhe armë i kanë grabitur automjetin një 36-vjeçari, në kohën kur ai po udhëtonte drejt shtëpisë në periferi të Tiranës. Dy personat e dyshuar sipas policisë i kanë zënë pritë Arben Stojanit, në mes të rrugës që lidh Kamzën me Valiasin dhe, në kohën që ai po afrohej drejt tyre me makinë, i kanë dalë para duke i drejtuar armët dhe e kanë detyruar të zbresin. Autorët e ngjarjes më pas kanë hipur në makinën e tij tip “Alfa Romeo”, me traga italiane dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë shoferin në mes të rrugës. Ngjarja ka ndodhur një javë më parë gjatë orëve të vona të natës dhe ka qenë vetë i dëmtuari, që ka lajmëruar në Sallën Operative të Policisë së Tiranës. Në bazë të përshkrimeve që ka dhënë gjatë marrjes në pyetje Arben Stojani, policia ka mundur të identifikojë të dyshuarit për grabitjen. Ndërsa dje është bërë i mundur arrestimi i njërit prej tyre. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, oficerët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë kanë arrestuar në rrugën “Myslym Shyri” të dyshuarin Flamur Toskaj, 27 vjeç, banues në Kodër-Kamzë. Sipas të dhënave të Policisë, i dyshuari rreth 3 javë më parë ka pasur një konflikt pranë fabrikës së miellit te Rruga e Kavajës, gjatë të cilit ka mbetur i plagosur me armë zjarri në këmbë. Ndërsa burimet pohuan se është identifikuar dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij në grabitjen e automjetit të Stojanit. Sipas të njëjtave burime mësohet se i dyshuari tjetër për ngjarjen është Fatjon Byberi. Policia ka mundur të gjejë dhe të sekuestrojë edhe makinën e grabitur, “Alfa Romeo” me targë italiane AX777PC. Automjeti u gjet i braktisur në afërsi të Institutit Bujqësor dhe u identifikua si mjeti i grabitur nga personi i dëmtuar.











