TIRANE – Dy persona me maska e armë grabitën një supermarket në afërsi të Laprakës, në vendin e njohur si ish-markata e vjetër, në Tiranë. Njëri prej autorëve është futur në ambientet e brendshme të supermarketit dhe duke i vendosur pistoletën në kokë një klienteje, ka kërcënuar shitësen që t’i jepte të gjitha paratë që ndodheshin në kasë. Ndërsa personi tjetër ka pritur te dera e jashtme e dyqanit, për të mbajtur nën kontroll situatën. Grabitësi është drejtuar vetë te kasa, duke tërhequr aty të gjitha kartëmonedhat, në një vlerë totale që llogaritet të jetë rreth 250 mijë lekë të rinj. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se nga sekuestrimi dhe verifikimi i pamjeve filmike, autorët, edhe pse të maskuar, dyshohet të jenë të njëjtët që kanë kryer edhe dy grabitje të tjera brenda muajit gusht. Sipas policisë, ata janë të dyshuar edhe për grabitjen e kazinosë te Zogu i Zi dhe një tjetre te Stacioni i Trenit.











