Dy kosovare në Europianin e boksit

Mar 13, 2011 | 12:39

Nuk ka vetëm kosovare të bukura, por edhe të forta. Dy boksiere kosovare ka gjasa të marrin pjesë në Kampionatin Europian, që nga 29 maji deri më 5 qershor mbahet në Katowice të Polonisë. Federata e Boksit e Kosovës pret që shumë shpejt të marrë ftesë për paraqitje në Europianin e femrave, të cilin e organizon Konfederata Evropiane e Boxit (EUBC). Federata e Boksit e Kosovës ende nuk është pjesë e EUBC-së, por shpreson që të ftohet. Nëse FBOXK-it i lejohet pjesëmarrja, Kosovën do ta përfaqësojnë Marigona Beadini e Prishtinës dhe Fatlume Ahmeti e “Dritës” së Gjilanit. “Delegati i AIBA-s, polaku Byrdy Piotr, është duke lobuar për pranimin e Federatës sonë. Ai gjatë një vizite në Kosovë na ka premtuar se do të na dërgojë ftesën për pjesëmarrje në Europian. Ne jemi në pritje të ftesës. Në evropian boksieret do të garojnë për normë olimpike. Organizatorët kërkojnë që numër sa më i madh i boksiereve të paraqiten në evropian dhe kjo mund të ndikojë që ne të marrim ftesë”, ka thënë të mërkurën sekretari i përgjithshëm i FBOXK, Mehmet Bogujevci. Beadini e Ahmeti do të paraqiten në përgatitjet e përfaqësueses së Kosovës, që nga 13 deri më 23 mars mbahen në Brezovicë. Në këto përgatitje, përzgjedhësi Xhevdet Peci ka ftuar 11 boksierë dhe dy boksiere.

© Panorama.al

Te lidhura