DURRËS – Vjedhin me armë e maska dyqanin, terrorizojnë me breshëri automatike banorët. Ngjarja ndodhi të shtunën rreth orës 17:30 në fshatin Kënetë të komunës Gjepalaj në Durrës. Policia bëri të ditur se për ngjarjen arrestoi katër persona, dy prej të cilëve pjesëmarrës në krim e dy të tjerë dyshohet se kanë pasur lidhje e dijeni për vjedhjen e kryer. Arratia e të rinjve që terrorizuan fshatin ka zgjatur vetëm pak orë pasi Policia e Durrësit arriti të identifikonte e të arrestonte në kohë rekord autorët dhe persona të tjerë të implikuar me ta. Sipas policisë, në pranga janë vënë shtetasit Roland Stafa, 24 vjeç dhe Gentjan Hysa, 20 vjeç, që të dy banorë të fshatit Shetel të Shijakut. Gjithashtu u arrestuan edhe shtetasi Ervin Cizmja, 23 vjeç dhe Agron Tuda, 22 vjeç, pasi dyshohet se ata kishin lidhje me ngjarjen. Mësohet se Stafa dhe Hysa, pasditen e së shtunës, në fshatin Kënetë, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, të maskuar dhe nën kërcënimin e një arme automatike, kanë vjedhur dyqanin e shtetases H.N. Pas këtij veprimi, ata janë larguar, por gjatë rrugës në tentativë për të ikur kanë ndaluar një kalimtar të rastit, i cili po lëvizte me një motor tip “Yamaha”. Ata kanë qëlluar me breshëri në ajër për të kërcënuar atë me qëllim që t’i merrnin me dhunë motorin. Pasi i kanë marrë mjetin motorik, ata janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia mbërriti në vend e sinjalizuar nga pronarja e dyqanit, por edhe nga banori i fshatit të cilit i morën nën kërcënimin e armës motorin. Pas një pune të organizuar nga blutë, ata arritën të identifikonin si autorë të ngjarjes dy të rinjtë shijakas si dhe si të implikuar të tjerë në vjedhje. “Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë për arsye se më 26 mars 2011, rreth orës 17: 30, në fshatin Kënetë të komunës Gjepalaj, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, të maskuar dhe nën kërcënimin e një arme luftarake, kanë vjedhur dyqanin e shtetases H.N. Pas këtij veprimi, gjatë rrugës së ndjekur prej tyre për t’u larguar në një rrugicë të fshatit Kënetë, kanë ndaluar një kalimtar të rastit i cili po lëvizte me një motor tip “Yamaha”. Nën kërcënimin e armës dhe pasi kanë qëlluar me breshëri, ata i kanë marrë atij mjetin motor”, bëri të ditur dje Policia e Durrësit. l.m











