DURRES – Spitali i Durrësit prej disa javësh po përballet me mungesën e medikamenteve. Barnat e paketave bazë që i nevojiten spitalit, kryesisht reparteve të urgjencave, kanë përfunduar. Mjekët sqarojnë se mungesa e ilaçeve lidhet me disa arsye, si: numri i lartë i pacientëve gjatë sezonin veror, të cilët janë paraqitur pranë reparteve të spitalit rajonal të Durrësit për të marrë mjekimin e duhur, si dhe zgjatja e procedurave të blerjeve dhe realizimi i tenderave. Për pasojë, çdo pacient që shtrohet në repartet e spitalit të Durrësit, në reanimacion, kirurgji, patologji, në repartin e sëmundjeve të brendshme apo pediatri, janë të detyruar që me recetën e mjekut të shkojnë në farmacitë private për të blerë barnat e nevojshme për kurim, apo edhe mjekime të tjera, të cilat i kryejnë gjatë kohës që janë të shtruar në pavijone. Sipas mjekëve, kanë mbaruar të gjithë rezervat që ata dispononin, nisur edhe nga fluksi i madh i pacientëve me të cilët janë përballur gjatë këtij sezoni veror, çka ka sjellë dhe përfundimin e medikamenteve bazë, duke nisur nga alkooli, garzat e deri tek antibiotikët dhe aget për serume. Zgjidhja, sipas bluzave të bardha, do të gjendet te kërkesa për shkurtimin e afateve të realizimit të blerjeve të ilaçeve, kërkesa e donatorëve për të ndihmuar e shëndoshur financat e spitalit, apo edhe përshpejtimin e procedurave burokratike të sistemit legjislativ, për shkak të detajimit të buxhetit e përllogaritjeve. Përsa i takon furnizimit me medikamente të plota për këtë vit, sinjalet pozitive nga ana e drejtuesve të spitalit vijnë për në 15-ditshin e dytë të shtatorit, kur mendohet t’i jepet zgjidhje problemit, duke bërë që spitali i Durrësit të ketë barnat kryesore të plota në çdo shërbim. l.m











