DURRES- Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, theksoi dje se KLD-ja pranon me keqardhje që perceptimi i publikut për zvarritje të gjykimit është i drejtë. Deklarata e Spahiut u bë gjatë analizës së punës së vitit 2010 të Gjykatës së Durrësit dhe të Kavajës. “Komuniteti Shqiptar i Helsinkit, që ka monitoruar proceset gjyqësore në Durrës, si dhe në gjykatat e tjera të vendit, konstatoi neglizhencë në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor”, tha Spahiu. Sipas tij, drejtësia është një nocion që nuk ekziston në gjykata, pasi cilësia e shërbimit në këto institucione lë për të dëshiruar. Ai është ndalur edhe tek puna e dobët e zyrës së përmbarimit, ku shumë vendime mbeten të paekzekutuara. Kreu i gjykatës së Durrësit, Ervin Metalla, u shpreh se shkaqet që çojnë në shtyrjen e seancave janë kryesisht avokatët. l.m











