Klodian Duro ka qenë pjesë e të tri ndeshjeve që Shqipëria ka luajtur në historinë e vet kundër Bjellorusisë.Sipas mesfushorit, të shtunën do të jetë një tjetër histori dhe e kaluara e hidhur në përballjet ndaj bjellorusëve nuk do të ndikojë. Duro luan këtë herë ndeshjen e tij të 73-të me fanellën kuqezi, por kjo shifër nuk e impresionon 33-vjeçarin. Në konferencën e djeshme për shtyp, mesfushori foli edhe për mundësitë e kuqezinjve në këtë sfidë, por edhe veten.
Klodi, ju keni qenë pjesë e të tri ndeshjeve të deritanishme ndaj Bjellorusisë. Këtë herë, çfarë duhet të bëjmë më shumë për të thyer tersin ndaj tyre?
Çdo ndeshje ka historinë e vet dhe mendoj se tashmë nuk mund të bëjmë krahasime me ato që kemi luajtur më parë. Normalisht, në këtë ndeshje duhet të luajmë në grup për të arritur më të mirën. Jemi të ndërgjegjshëm se kjo është një përballje kyçe për ne.
Gjithsesi, çfarë vlerësoni te kundërshtari?
Bjellorusia është i vetmi ekip i grupit tonë që në 4-5 ndeshjet e fundit nuk ka pësuar gol. Kjo mendoj se nuk është diçka e rastësishme. Duke pasur parasysh faktin se na duhet fitorja, do ta kemi të vështirë për të çarë mbrojtjen e tyre. Të mos pësosh gol ndaj ekipeve si Franca apo Rumania, do të thotë që ky kundërshtar ka shumë vlera. Besoj se mënyra për të shkuar drejt golit, do të jetë detyra jonë me e vështirë. Nisur edhe nga eksperienca e përballjeve në fushën tonë, mund të them se sa herë kemi realizuar të parët, kemi marrë gjithnjë rezultat pozitiv.
Bjellorusia ka 11 vite pa humbur në muajin mars. Nuk ju bën ndopak përshtypje ky fakt?
Nuk mendoj se ndikon. Këto do të ngelen në rangun e statisitikave. Bjellorusia fare mirë mund të thyhet nga ne dhe pastaj do ta quajmë muajin mars si mbarësia e Shqipërisë.
Keni ndonjë parandjenjë për rezultatin?
Nuk jam parashikues. Rezultatit nuk i dihet asnjëherë, por një gjë është e sigurt: kjo është ndeshje decizive për ecurinë tonë në grup dhe sigurisht renditjen përfundimtare. Me këtë situatë që jemi, një fitore të shtunën na jep shumë moral, ndërsa një humbje apo barazim, na i bënë shumë të vështirë të ardhmen.
Në fazën e dytë me Laskun keni luajtur pak, pse?
Ndoshta aktualisht është fati im i keq, por te Lasku janë ndryshuar tre trajnerë brenda këtij sezoni dhe kjo nuk është e lehtë. Trajneri i Laskut nuk është shqiptar, por austriak (qesh).
JORGIS MEMO











