“Duan të shkatërrojnë familjen tradicionale”- Berisha nga Foltorja: Referendum për ligjin e barazisë gjinore, do jetë i pari që PD do shfuqizojë kur të vijë në pushtet!

Jan 17, 2026 | 19:16

Teksa kaloi në dëgjesat e Foltores së PD në Laprakë me mbështetësit, një prej qytetareve të pranishme ngriti shqetësimin për ligjin e barazisë gjinore, aq shumë të polemizuar politikisht prej disa muajsh në parlament dhe jashtë tij.

sali berisha

Kryetari Sali Berisha, teksa i dha të drejtë qytetares, nënvizoi se ai ligj tenton shkatërrimin e familjes tradicionale, PD kishte qenë kundër tij dhe premtoi se sapo opozita të vijë në pushtet, ligji i parë që do të shfuqizojë është ai që mazhoranca ka kaluar.

“Ligji i parë që do rrëzojmë është ai për barazinë gjinore. Këta duan të shuajnë familjen. Do e çojmë edhe në Kushtetuese, edhe pse e dimë se ata nuk do e pranojmë”, tha ai.

Teksa shprehu pesimizmin për dërgimin në Kushtetuese të ligjit me qëllim rrëzimin, duke sqaruar se nuk pret vendim pozitiv prej shkallës së lartë të drejtësisë, ai hodhi tezën dhe nismën për një referendum kombëtar për të rrëzuar ligjin në fjalë.

“Por ju them se do kërkojmë edhe referendum për të. Nuk e pranojmë. Këta duan ta bëjnë më keq se teoria e Karl Marksit, duan ta zhdukin fare familjen tradicionale. Por ne nuk do e lejojmë dhe sa të vijmë në pushtet do e shfuqizojmë atë ligj”, bëri ai me dije.

© Panorama.al

Te lidhura