Drogë dhe organizim i paligjshëm i lojërave të fatit, arrestohet një efektiv policie dhe dy persona të tjerë (EMRAT)

Jul 8, 2026 | 10:13

Tre persona, mes tyre një punonjës policie, janë arrestuar në flagrancë në kuadër të operacionit “Basti i Fundit” i zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

12

Në pranga ra Lutfi Dervishi, Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Fushë-Krujë, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe organizim të paligjshëm të lojërave të fatit. Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan 119 fishekë të kalibrit 9 mm.

Po ashtu u arrestuan edhe Sabah Stafuga dhe Fatmir Stafuga, të dyshuar për organizim të paligjshëm të lojërave të fatit dhe prodhim e shitje të narkotikëve.

Gjatë kontrolleve, hetuesit sekuestruan katër pajisje elektronike të dyshuara për lojëra fati, dy serverë kompjuterikë, një pajisje DVR, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike me peshë totale 6.63 gramë, si dhe tre telefona celularë.

Njoftimi i plotë: 

Në vijim të operacionit të koduar “Basti i Fundit”, si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera, u arrestuan në flagrancë një punonjës policie dhe dy shtetas.

➡️ Lutfi Dervishi me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet, me zonë mbulimi qytetin e Fushë-Krujës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 197 të Kodit Penal. Gjatë kontrollit në banesë iu gjetën 119 fishekë model 9mm.

➡️ Sabah Stafuga, banues në Arrameras, Fushë-Krujë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i padënuar më parë.

➡️ Fatmir Stafuga, banues në Arrameras, Fushë-Krujë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.

Arrestimi i shtetasve Sabah Stafuga dhe Fatmir Stafuga u krye për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 197 dhe 283 të Kodit Penal.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet objekt hetimi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan:
* 4 pajisje elektronike (makineta) të dyshuara për ushtrimin e lojërave të fatit;
* 2 serverë/njësi kompjuterike, të dyshuara se përdoreshin për aktivitetin e kundërligjshëm;
* 1 pajisje DVR;
* 5 qese me mbështjellje plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 2.22 gramë;
* 6 qese të vogla plastike, që përmbanin lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 4.41 gramë;
* 3 aparate telefonike celulare.

Veprimet hetimore vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë, si dhe evidentimin dhe dokumentimin e çdo rasti të favorizimit, mbështetjes apo mosveprimit nga punonjës të strukturave ligjzbatuese.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e vendosur në përmbushjen e përgjegjësive të saj ligjore, duke zbatuar standard të barabartë përpara ligjit dhe tolerancë zero ndaj çdo punonjësi që, në kundërshtim me detyrën dhe përgjegjësinë publike, përfshihet, favorizon apo mbështet veprimtari të kundërligjshme.

© Panorama.al

Te lidhura