Droga, Basha: Sistem kamerash në shkolla

Mar 16, 2011 | 11:07

TIRANË- Arritje pozitive në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, por ende punë për t’u bërë për të luftuar trafikun. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka deklaruar sot se lufta ndaj trafikut dhe kultivimit të bimëve narkotike do të luftohet pa asnjë kompromis. Gjatë një konference për këtë qëllim, në prani edhe të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, Basha ka theksuar se këtë vit do të jenë prioritet shkollat.

Sipas ministrit Basha, shkollat e Tiranës do të survejohen me sistem kamerash, për të eleminuar cdo mundësi të depërtimit të lëndëve narkotike brenda dhe rreth oborrit të tyre. “Viti 2011 do të shënojë tolerancë zero ndaj shpërndarësve të drogës”- ka theksuar Basha, duke inkurajuar policinë të vazhdojë të bëjë me efektivitet detyrën e saj në këtë drejtim.

Sipas Burgajt, viti që sa u mbyll regjistron rreth 2 ton marijuanë të sekuestruar dhe 7304 kg hashash. Ai ka theksuar se problematikë në këtë aspect paraqesin Shkodra dhe Gjirokastra.

© Panorama.al

Te lidhura