Kompania CEZ Shpërndarje ka bërë së fundi publike kërkesën e saj për rritje të çmimit të energjisë, një kërkesë kjo drejtuar Entit Rregullator të Energjisë.Rritja e kërkuar shkon mesatarisht 4.5 për qind për konsumatorët fundorë, e cila në vlerë konsiderohet të jetë rreth 200 lekë për faturë. Gjatë një takimi në qytetin e Shkodrës dje, ku në fokus ishte diskutimi i kontratës së furnizimit me energji dhe rregullorja për cilësinë e shërbimit, palët përkatëse kanë bërë edhe deklaratat e tyre lidhur me kërkesën e CEZ.
Kërkesa e CEZ
Ashtu si çdo vit, CEZ Shpërndarje edhe për 2012 kërkon rritje të çmimit të energjisë. Erideta Bashi, drejtore e administrimit të përgjithshëm të CEZ Shpërndarje, sqaroi dje edhe arsyet se pse CEZ ka bërë këtë kërkesë pranë ERE-s, duke e lidhur fillimisht me inflacionin, i cili sipas saj, sikundër është deklaruar nga Banka e Shqipërisë, ka qenë në nivelet 3.6 për qind. “Një tjetër arsye është rritja e çmimit të energjisë elektrike që importohet apo blihet nga tregjet ndërkombëtare. Dhe, veç kësaj, rritja mesatare prej 4,5 për qind përfshin gjithashtu një kosto, që është prezantuar së fundi nga ndryshimet që i janë bërë ligjit, i cili bën të detyrueshëm certifikimin e matësve nga një laborator i pavarur. Kostot për këtë certifikim të matësve kapin rreth 2 për qind nga rritja e kërkuar prej 4,5 për qind”, u shpreh ajo.
Kërkesa e dorëzuar më 1 shtator do të duhet që të kalojnë disa muaj për t’u shqyrtuar nga Enti Rregullator i Energjisë, fillimisht në dëgjimoret publike, ku marrin pjesë të gjithë aktorët.
Enti Rregullator
Jo domosdoshmërisht kërkesa e CEZ përkthehet në rritje të energjisë, të paktën jo deri në momentin që Enti Rregullator i Energjisë do të konstatojë se kjo kërkesë është e drejtë dhe e justifikuar. Drejtori juridik pranë këtij Enti, Eduard Elezi, u shpreh dje për mediat se paraqitja e kërkesave për rritje të çmimit nuk do të thotë aprovim i tyre. “Duhet të bëhet një studim i hollësishëm në lidhje me këtë kërkesë, duke parë investimet që janë bërë, kostot për shërbimet dhe shumë parametra të tjerë”, tha ai. Në fakt, një nga argumentet e fortë që CEZ ka sjellë në kërkesat e tij ka qenë nevoja për investime në rrjet dhe Enti do të vlerësojë se deri në ç’masë është përmbushur kjo pjesë dhe ulja e humbjeve në rrjet, që ka qenë relativisht e lartë. Pothuajse çdo vit, qysh nga privatizimi i ish-OSSH-së, kompania CEZ, KESH dhe OST kanë bërë kërkesa pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritje të çmimit. Vitin e kaluar, ERE nuk miratoi rritje, por ulje të çmimit me të cilin KESH shiste energjinë te CEZ Shpërndarje. Kjo në atë kohë u reklamua si një politikë për të mos përhapur pakënaqësi te popullsia, në prag të një vitit elektoral siç ishte 2011-ta.
Sa paguajmë sot
Kategoritë Çmimi për kwh
Familjarët deri në 300 kwh 7.7 lekë
Familjarët mbi 300 kwh 13.5 lekë
Çmimi mesatar total 9.53 lekë
Operatorët
KESH i shet CEZ 1.48 lekë
OST transmeton 0.6 lekë
KESH dhe OST do të kërkojnë rritje
Sikurse ka kërkuar CEZ Shpërndarje rritje të çmimit të energjisë, pritet që edhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të bëjnë dhe ato kërkesat e tyre pranë ERE. Vjet Enti, për të evituar një rritje të çmimit që do prekte konsumatorët, nuk miratoi rritje për transmetimin e energjisë, duke e lënë në fuqi tarifën e vjetër, sakaq për KESH-in u miratua ulje e tarifës dhe duket se Korporata ka edhe një kërkesë më të arsyetuar. Kjo e fundit, nga ana tjetër, është detyruar që të bëjë më shtrenjtë energjinë e prodhuar nga koncesionarët.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











