Dren Abazi i “Zig Zag Orchestra”: Nuk i kam vjedhur fondet e grupit, me Anjezën shpresojmë fitoren

Mar 26, 2011 | 13:53

Dren Abazi, lider i grupit “Zig Zag Orchestra”, është në konkurrim te festivali “Top Fest” me Anjeza Shahinin, me këngën “Unë e ti”, e cila, siç flitet, është një nga favoritet e këtij edicioni, edhe pse ka pak kohë që është hedhur në transmetim. Në një intervistë dhënë për “Panorama plus”, këngëtari flet për bashkëpunimin me Anjezën dhe shumë gjëra të tjera.
A është e vërtetë që grupi “Zig Zag” është ndarë?
Orkestra të cilën unë e krijova dhe e udhëheq, ka pak më shumë se dy vjet. Është shumë aktive me koncerte brenda e jashtë vendit dhe besoj që do të vazhdojë me këtë ritëm edhe në të ardhmen. E kam thënë edhe në intervistat e tjera, “Zig Zag Orchestra” vazhdon të punojë dhe të krijojë, janë larguar disa anëtarë, kanë ardhur anëtarë të rinj. Kjo, në fakt, është mënyra si ka funksionuar orkestra ime prej fillimit të punës me të. Unë jam i hapur për pranimin e instrumentistëve të rinj dhe momentalisht po bashkëpunoj edhe me instrumentistë nga Shqipëria.
Ju kanë akuzuar për keqpërdorim të buxhetit të grupit. Sa janë të vërteta këto fjalë?
Faqja zyrtare e “Zig Zag Orchestra” është sulmuar dhe në të janë shkruar shpifje të ndryshme, të gjitha me qëllime të këqija. Mendoj që këto gjëra i kam sqaruar shumë mirë. Fondet e “Zig Zag Orchestra” janë fonde të orkestrës që kanë destinim të qartë dhe të definuar shumë mirë.
Do të vazhdoni tani karrierë solo?
Unë kam orkestrën time që më shoqëron në performancat live, kështu dhe do të vazhdoj. Kënga me Anjezën ishte një projekt personal i imi, edhe pse s’është hera e parë që unë shkruaj këngë edhe jashtë orkestrës.
Ju jeni në “Top Fest” së bashku me Anjeza Shahinin. Kush jua propozoi atë bashkëpunim dhe çfarë mendimi keni për Anjezën?
Ideja erdhi nga Anjeza. Ne u takuam në një eveniment muzikor që u organizua në Tiranë kohë më parë dhe kështu lindi bashkëpunimi. Unë jam shumë i kënaqur me Anjezën, sigurisht që e vlerësoj jashtëzakonisht si këngëtare, por edhe si njeri.
Nga aq sa kemi dëgjuar, ju jeni një nga favoritët kryesorë. Mund të na thoni çfarë pretendoni nga festivali?
Nuk kam dëgjuar që jemi favoritë. Por, sidoqoftë, më bëhet qejfi shumë nëse kënga po pëlqehet nga publiku. Ky, në fakt, është edhe qëllimi im parësor. Sidoqoftë, çmimet gjithmonë janë sadisfaksion dhe vlerësim për punën që bëjnë artistët. Kështu që mendoj se çdo vlerësim pozitiv është shumë i mirëpritur nga ana ime.
Noizy tha se festivalin e fiton Elvana Gjata. E besoni?
Nuk dua të besoj në gjëra të tilla!

© Panorama.al

Te lidhura