“Drejtësia nuk mund të qeveriset nga politika” – Fatmir Xhafaj: Kam qenë kritik për mënyrën se si u zbatua harta e re gjyqësore

Oct 30, 2025 | 14:55

Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, vlerësoi rezultatet e Reformës në Drejtësi, por njëkohësisht ngriti shqetësime për mënyrën se si po funksionon sistemi sot.
Fatmir XhafajAi theksoi se drejtësia nuk mund të qeveriset nga politika, ndërsa pranoi se ka qenë kritik ndaj mënyrës së zbatimit të hartës së re gjyqësore.

“Në këto seanca ku raportojnë KLGJ, KLP dhe ILD, në thelb ne debatojmë për një çështje themelore të shtetit të së drejtës – mirëqeverisjen e sistemit të drejtësisë. Nëse reforma në drejtësi ishte akti themeltar që i dha frymë dhe një arkitekturë të re sistemit të drejtësisë, mirëqeverisja është procesi që e mban këtë sistem funksional, llogaridhënës dhe të besueshëm,” tha Xhafaj.

Sipas tij, reforma ka sjellë autonomi dhe pavarësi të institucioneve të drejtësisë, por ka ende probleme që duhen adresuar.

“Projekti i reformës në drejtësi ka pësuar transformim, duke i dhënë sistemit autonomi. Ishte një zgjidhje moderne. Por drejtësia nuk mund të qeveriset nga politika – kjo është sfida që duhet të adresojnë KLGJ dhe KLP,” u shpreh deputeti socialist.

Xhafaj ndaloi edhe te harta e re gjyqësore, duke e cilësuar si një proces që u zbatua pa strategji të qartë dhe pa fazë tranzitore të planifikuar.

Kam qenë kritik për mënyrën se si u zbatua harta gjyqësore, për mungesën e vizionit dhe strategjisë. Pa u planifikuar periudha tranzitore dhe transferimi i dosjeve, ajo nxori në pah mangësi serioze të këtij projekti,” deklaroi ai.

Deputeti shtoi se një ndër problemet që vijon të mbetet sfidë për drejtësinë shqiptare është zgjatja e shqyrtimit të dosjeve gjyqësore, e cila sipas tij mbetet ende e lartë.

© Panorama.al

Te lidhura