Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Irani ka kontaktuar Uashingtonin duke kërkuar arritjen e një marrëveshjeje, pas valës së sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane. Megjithatë, ai vuri në dyshim besueshmërinë e Teheranit dhe paralajmëroi se SHBA-ja është e gatshme të intensifikojë më tej operacionet ushtarake.
Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial Air Force One, gjatë kthimit nga Samiti i NATO-s në Ankara, Trump tha se zyrtarët iranianë e kishin telefonuar pak më parë.
“Më telefonuan pak çaste më parë dhe duan të bëjnë një marrëveshje. Thjesht nuk e di nëse e meritojnë një marrëveshje dhe nuk e di nëse do ta respektojnë atë”, u shpreh presidenti amerikan.
I pyetur se përse Irani sulmon anije tregtare nëse dëshiron një marrëveshje, Trump u përgjigj se “ata janë disi të çmendur”, duke shtuar se megjithatë dëshirojnë fort të arrijnë një marrëveshje me SHBA-në.
Presidenti amerikan theksoi se Uashingtoni do të vazhdojë të përgjigjet me forcë ndaj çdo sulmi iranian.
“Sa herë që ata na godasin, ne i godasim 20 herë më fort. I kemi goditur shumë rëndë dhe kur ata sulmojnë, ne kundërpërgjigjemi edhe më fuqishëm”, deklaroi ai.
Kur u pyet nëse SHBA-ja po hyn në një luftë të plotë me Iranin, Trump u përgjigj se nuk mund ta parashikojë zhvillimin e situatës, por shtoi se, sipas tij, “Shtetet e Bashkuara e kanë fituar tashmë ushtarakisht këtë përballje”.
© Panorama.al












