Dollapi: Tirana nuk do të ketë mungesë të ujit në verë

Mar 23, 2011 | 10:59

Tirana nuk do të ketë mungesa në furnizimin me ujë të pijshëm për sezonin veror. Këtë premtim bëri dje kreu i Ujësjellësit, Sahit Dollapi, Ditën botërore të Ujit. Deklarata erdhi gjatë një aktiviteti sensibilizues për shfrytëzimin si duhet të tij nga banorët e kryeqytetit. “Tirana ka më shumë se çdo herë ujë dhe gjithmonë do të shkojë duke u stabilizuar e duke marrë përfundimisht trajtën e një qyteti europian edhe për furnizimin. Nuk ka pasur mungesa të ujit as verën e kaluar, dhe kjo verë do të ketë përmirësime akoma më të mëdha”, tha Sahit Dollapi. Drejtori i Ujësjellësit deklaroi ndërkohë se edhe ato zona ku ka pasur mungesë të ujit, tashmë ato furnizohen rregullisht. Rasti më i fundit ishte ai i Unazës së Madhe, ku banorët e kësaj zone për muaj me radhë nuk furnizoheshin me ujë të pijshëm. Pas protestash disaditore qytetarëve të kësaj zone iu rikthye uji, si pasojë e lidhjeve të kontratave me ndërmarrjen. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz nuk përdorin ujë higjienikisht të pastër dhe rreth 2.2 milionë vdesin çdo vit si rezultat i mungesës së ujit të pijshëm dhe higjienikisht jo të pastër. Po dje, në Ditën ndërkombëtare të Ujit, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, bëri me dije një tjetër masë që do të ndërmerret. Sipas tij, Këshilli Kombëtar i Ujit ka vendosur mos lejimin e miratimit të lejeve të shfrytëzimit në lumenj. “Kërkojmë që të bëhet një studim i ri mineralogjik dhe gjeologjik i këtyre lumenjve për të përcaktuar se ku ka mbushje për shkak të vetë fenomeneve që ndodhin në lumenj, për të pasur shfrytëzime vetëm atje ku janë mbushje dhe nuk krijohen probleme të erozionit, apo probleme që mund të dëmtojnë edhe infrastrukturën, siç janë strukturat e urave”, tha Fatmir Mediu, ministër i MPAU. Pas përfundimit të rrugës Durrës-Kukës, sipas Mediut, është i patolerueshëm shfrytëzimi i mëtejshëm i shtratit të lumit Mat. ”Këtu ka qenë një rrugë jashtëzakonisht e rëndësishme, rruga kombëtare që kemi ndërtuar, rruga Durrës-Kukës dhe një pjesë e këtyre inerteve janë shfrytëzuar për të. Por tashmë që kjo rrugë ka përfunduar, duhet të përfundojë dhe shfrytëzimi pa kriter i lumit të Matit, i cili është tërësisht i patolerueshëm”, tha Mediu. Këshilli Kombëtar i Ujit, sipas Mediut, së shpejti mund të marrë një vendim që lumenjtë të shfrytëzohen vetëm për infrastrukturë publike, por duke ndjekur një politikë të caktuar. Gjithashtu, task-forcat do të operojnë në të gjithë vendin duke koordinuar punën e të gjitha strukturave për të mirëmenaxhuar situatën në terren.

© Panorama.al

Te lidhura