Dokumentet shtesë për ushtarakët

Mar 6, 2011 | 11:23

Shumica e atyre që përfitojnë nga ky ligj kanë krijuar idenë e plotësimit të të gjithë dokumentacionit nga e para dhe kjo është pak e komplikuar, pasi jo të gjithë duhet të rinisin procedurën. Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, përmes sekretariatit të saj, bën edhe sqarimet përkatëse se kush duhet të plotësojë dokumentet për të përfituar pension, sipas udhëzimit më të fundit dhe kush nuk është e nevojshme të rifillojë nga e para procedurën. Kështu, sipas Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, të gjithë ata që e kanë plotësuar njëherë dokumentacionin e plotë në fazën e parë, kur doli akti normativ për zbatimin e ligjit, nuk duhet të bëjnë asnjë dokumentacion apo kërkesë tjetër, pavarësisht udhëzimit të ri. Po kështu, nuk duhet të plotësojnë ndonjë dokumentacion shtesë ata që kanë dalë në pension para korrikut të 1991-it, kurse për ata që kanë dalë pas kësaj date duhet të shtojnë edhe dokumentin për bazën e vlerësuar për vitet ’92-95. Të gjithë ata që përfitojnë nga ligji për pensionet e ushtarakëve dhe përkatësisht, pension suplementar apo të përkohshëm, nuk është e nevojshme të paraqesin asnjë dokument shtesë, pasi llogaritjen do ta bëjë Ministria e Mbrojtjes. Por, pikërisht në këtë pikë, edhe Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë ka edhe rezervat e saj, të cilat lidhen me kapacitetet për përpunimin e dokumentacionit që ka treguar Ministria e Mbrojtjes. Sipas tyre, procesi i punës që ka për detyrë të zhvillojë kjo ministri, ka qenë shumë i ngadaltë, çka ka rezultuar vetëm me disa dhjetëra pensione të shpërndara. “Muajin e fundit janë përpunuar dokumentet e vetëm 40 personave kërkues. Pra, duke pasur parasysh se janë më shumë se 20.000 persona përfitues, llogarite për kohën e përfitimit të ushtarakut të fundit do të dalin në shifrën që përmendëm më sipër. Po të krahasojmë këtë ecuri me atë të Ministrisë së Brendshme dhe institucionet e tjera, do të kuptojmë se drejtoria përkatëse në Ministrinë e Mbrojtjes ecën me ritme tejet të ngadalta”, shprehen përfaqësues të Shoqatës.
Dokumentacion shtesë
Kategoritë që duhet të paraqesin dokumentacion shtesë, sipas sqarimit që i bën Shoqata e Ushtarakëve në Rezervë udhëzimit të Ministrisë së Mbrojtjes, janë dy. E para është ajo pjesë që aplikojnë për herë të parë për çdo lloj pensioni. Këta duhet të plotësojnë gjithë dokumentacionin që kërkohet nga Drejtoritë rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe aplikojnë për herë të parë për çdo lloj pensioni, duhet të plotësojnë gjithë dokumentacionin që kërkohet nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore. Ndërkohë që kategoria e dytë që duhet të plotësojë gjithë dokumentacionin, ushtarakët, që vazhdojnë të punojnë në institucionet buxhetore me statusin e punonjësit civil, të cilët përfitojnë një pension shtesë, sa një pension bazë, të cilët duhet të deklarojnë sipas formularit bazë në DRSSH.

Çfarë përcakton për dokumentacionin udhëzimi i Ministrisë

a.     Ushtarakët që kanë plotësuar njëherë dokumentacionin, nuk është e nevojshme për kërkesa apo dokumente të tjera.
b.     Ushtarakët që kanë dalë në pension pleqërie para 3 korrikut 1991, nuk kanë nevojë për dokumente shtesë.
c.     Ushtarakët që kanë dalë në pension të plotë pleqërie pas 3 korrikut 1991, duhet që nëpërmjet dokumenteve të plotësuara të shtojnë edhe bazën e vlerësuar për vitet 1992-1995, sipas vendimit Nr.225 dhe të vendimit Nr.7 të janarit 1996, kjo kryesisht për ata persona që kanë dalë në pension pleqërie para vitit 2005, pasi ata që kanë dalë pas vitit 2005 u është kërkuar baza e vlerësuar.
d.     Për pensionin suplementar të pleqërisë dhe për pensionin e parakohshëm nuk ka nevojë për dokumentacion shtesë, sepse do të llogaritet nga Ministria e Mbrojtjes me dokumentacionin që ka.
e.     Për të gjithë ata ushtarakë që aplikojnë për herë të parë për çdo lloj pensioni, duhet të plotësojnë gjithë dokumentacionin që kërkohet nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.
f.     Për ushtarakët që vazhdojnë të punojnë në institucionet buxhetore me statusin e punonjësit civil, të cilët përfitojnë një pension shtesë sa një pension bazë, duhet të deklarohen me formularin përkatës në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura