Doganat: Hetimin e nisëm ne, nuk kemi kontakte me Libinë

Mar 14, 2011 | 11:24

Hetimi për kontrabandën e mundshme të naftës virxhin është nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave një vit më parë dhe shumë më herët sesa kjo të denoncohej nga ish- ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti.Ky ishte dhe argumenti kryesor i komunikatës për shtyp që Doganat shpërndanë dje si reagim ndaj çështjes së shumëpërfolur të naftës virxhin. Në detaje, në komunikatë shpjegohet gjithë procedura e hetimeve të filluara nga administrata doganore në mars të vitit 2010, ku është kërkuar ndihma për verifikime të strukturave homologe në destinacionet e dyshuara. “Rezultatet e hetimit si dhe përgjigjet e ardhura nga strukturat homologe, ku evidentohet një diferencë në peshë midis deklaratave të eksportit, të depozituara pranë autoriteteve doganore shqiptare dhe deklaratave të importit, të depozituara pranë autoriteteve doganore të vendit, të destinacionit, i janë vënë në dispozicion në vazhdimësi organeve kompetente”, thuhet në komunikatë. Ndërkaq, lidhur me eksportet shqiptare që kanë pasur si destinacion Libinë, Doganat shprehen se nuk mund të kenë asnjë akses tek të dhënat e këtij shteti, kjo pasi nuk ekziston asnjë marrëveshje dypalëshe. “Autoritetet Doganore Shqiptare, në mungesë të një marrëveshjeje dy palëshe për asistencë të ndërsjellët administrative, në fushën e veprimtarisë doganore, e kanë të pamundur verifikimin e tyre në shtetin libian”, shprehen Doganat. Gjithsesi, pavarësisht pengesës së një marrëveshje që sanksiononte aksesin në të dhëna, Doganat pranojnë se po vijohet me investigime për të zbuluar detaje rreth eksporteve me shtetin në fjalë dhe, për çdo rast, po bashkëpunohet me Prokurorinë.
“Autoritetet doganore shqiptare vazhdojnë investigimin për këtë çështje dhe informojnë në vazhdimësi, për çdo rast, organet kompetente, duke dhënë njëkohësisht edhe një ekspertizë profesionale. Gjithashtu, informojmë se ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Njësisë Task Forcë të Prokurorisë Tiranë, ka një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe intensiv për zbardhjen e kësaj çështjeje”, vijon komunikata. Nga ana tjetër, theksohet se rezultatet e hetimit nuk mund të publikohen para se ky i fundit të përfundojë. Doganat, ashtu sikurse në tetor të vitit që kaloi, kanë mbajtur edhe këtë herë të njëjtin qëndrim, duke pranuar se për naftën virxhin është duke u kryer një hetim që ka nisur shumë kohë më përpara se kjo të lakohej si skandali më i madh dhe e denoncuar nga një ish-ministër.

Nafta, Financat: E denoncuam vetë aferën

Radhën e deklaratave për çështjen e naftës virxhin dje e ka përqafuar edhe Ministria e Financave. Kjo e fundit ka reaguar pas akuzave të opozitës, duke bërë të qartë në një deklaratë për shtyp të zëvendësministrit të Financave, Alfred Rushaj, se ka qenë pikërisht kjo ministri që e ka ngritur e para si problem. Duke sjellë në vëmendje një hetim të nisur nga qeveria në vitin 2008, Rushaj detajoi se jo vetëm kjo, por edhe masat e tjera ligjore të ndërmarra, tregojnë pikërisht të kundërtën e asaj që thotë opozita. “Si mund të akuzohet qeveria për një vendim, i cili praktikisht ka ndaluar tregtimin në tregun e brendshëm të “virxhin naftë?”. Ky vendim detyron që rafineria ta eksportojë vetë dhe jo ta shesë në tregun e brendshëm. Ishte kjo qeveri që e vendosi në akcizë këtë produkt dhe madje 30% më të lartë se akciza e çdo nënprodukti tjetër nafte, pikërisht për ta bërë dhe komercialisht të pamundur tregtimin e tij “tha zëvendësministri. Akuzat e Financave, dje i janë drejtuar kampit tjetër, ku opozita u akuzua për tetë vite radhë kur ishte në pushtet se lejoi që nafta virxhin të shitej në tregun shqiptar pa asnjë taksë, duke dëmtuar konkurrencën.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura