Djali i Osamës do të padisë SHBA për vrasjen “kriminale”

May 12, 2011 | 9:16

Al Kaeda i ka kërcënuar dje me një mesazh të ri Shtetet e Bashkuara, se do të shohin sulmet më mizore kundër tyre, për t’u hakmarrë për vdekjen e Osama bin Ladenit, duke shtuar se xhihadi do të intensifikohet aq sa “amerikanët të luten për ditët e Osamës”.“Mos e quani këtë betejë kaq shpejt të mbyllur dhe mos i jepni shpresa false popullit tuaj, se nëse ju vratë Osamën, mbaroi me kaq”, premtoi Nasir al-Uahishi, një lider i Al Kaedës në bazën në Jemen. “Ajo që ju pret është më e madhe dhe më e rrezikshme, dhe atëherë do të ndieni keqardhjen e do të luteni për ditët e Osamës”, tha ai në mesazhin publikuar në një faqe islamike. Ai e konsideroi gabim të madh vrasjen e Osamës. “Për ata që festuan vrasjen e sheikut tonë, ne po u themi: Do t’ju shohim nëse do të festoni me atë që do t’ju dërgojnë djemtë dhe studentët e sheikut”, vazhdon mesazhi. Një avion bombardues amerikan ka goditur Jemenin më 5 maj 2011, me qëllimin për të vrarë Anuar al-Aulaki. Por ai ka shpëtuar i padëmtuar. Qendra amerikane kundër terrorizmit e ka konsideruar degën e Al Kaedës në Jemen si rrezikun më domethënës për tokën amerikane. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, e cilësoi atë degën më të rrezikshme të Al Kaedës.
Mesazhi i Omarit
Djali i Osama bin Ladenit, Omar, po përgatitet për të hedhur në gjyq SHBA-të mbi vdekjen “kriminale” të babait të tij, duke përdorur avokatë britanikë. Në një letër të hapur nga Omar, publikuar në një faqe uebi islamike, thuhet se varrimi i babait të tij ka poshtëruar familjen e tyre. Djali i katërt më i madh i sheikut të terrorit tha se vëllezërit dhe motrat e tij kanë të drejtën të ndërmarrin veprime ligjore kundër Shteteve të Bashkuara për të “zbuluar fatin e vërtetë të babait të zhdukur”.  Nuk ka asnjë konfirmim të pavarur të autenticitetit të letrës, të publikuar në faqen e ekstremistëve “Abu Ualid al-Masri”, edhe pse disa specialistë të propagandës militante thanë se teksti ishte origjinal. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Erik Holder, ka deklaruar se vrasja ishte tërësisht ligjore dhe një “akt kombëtar vetëmbrojtjeje”. Por, Omar bin Laden kujtoi se edhe diktatorëve Sadam Husein dhe Sllobodan Millosheviç iu dha mundësia për një proces gjyqësor. Mesazhi i Omarit u publikua pasi një natë më parë u zbulua se një nga djemtë e rinj të Osama bin Ladenit është në kërkim dhe po përpiqet të hakmerret. Hamza bin Laden, 20 vjeç, flitej se do të pasonte Osama bin Ladenin si lider i Al Kaedës. Forcat amerikane menduan se e kishin eliminuar atë në kompleksin në Pakistan. Por më pas u zbulua se viktima ishte djali tjetër, 22-vjeçari Khalid. Hamza njihej si Princi trashëgimtar i terrorit, pasi u shfaq në një filmim xhihadist duke shtrënguar një armë në moshën 15-vjeçare. Ndërkohë, zëvendësi i Bin Ladenit do të bashkohet me të përkushtuarin Anuar al-Aulaki, për të formuar komandën e re të lartë të Al-Kaedës. Al-Zauahiri, 59 vjeç, pritet të emërohet lideri i saj. Ekspertët parashikojnë që ai të përdorë “yllin” e lindur në SHBA, Aulaki, 40 vjeç, i cili po fshihet në Jemen për ta mbajtur rrjetin e terrorit të bashkuar. Al-Kaeda ka paralajmëruar amerikanët se ata do ta paguajnë çmimin për vrasjen e Bin Ladenit, duke shtuar se vrasja e tij ishte “një gabim i madh, një mëkat serioz”.

“Gratë e Bin Ladenit nuk do të flasin”

Zyrtarët amerikanë janë ende në pritje të marrin në pyetje tri gratë e Bin Ladenit, që janë në duart e shërbimeve sekrete pakistaneze. Por, ish-operativi i CIA-s, Çarls Fadis, tha për CBS-në se zyrtarët amerikanë nuk kanë për të mësuar shumë nga këto gra. “Edhe po të supozojmë se do të kenë akses, do të jetë ekstremisht i limituar”, tha Fadis. “Ka të bëjë me detyrimin dhe nuk po flas për forcën fizike, por duhet përdorur ndonjë mekanizëm për ta bërë një person të tregojë çfarë di dhe të gjitha dinamikat janë kundër kësaj”, tha Hill. “Nuk ka ende asnjë lloj treguesi që të na bëjë të besojmë se gratë do të flasin”, tha ai, duke shtuar se ato “janë njerëzit që ia kanë dedikuar jetët e tyre Bin Ladenit dhe kauzës së tij. Ne e vramë Bin Ladenin. Ato nuk do të na japin absolutisht asnjë të dhënë”. Gjithsesi, ai beson se informacioni që mund të kenë gratë e tij mund të jetë shumë i limituar, pasi ato nuk janë përfshirë në operacione.

Dhëmbët e titaniumit

Një qen me dhëmbë titaniumi ka shoqëruar ekipin amerikan që vrau Osama bin Ladenin në Abutabad, Pakistan. Qeni ishte nga raca e veçantë “Pastor”, të quajtur “Malinois”. Dhëmbët e tij të ngulitura në mënyrë kirurgjikale janë aq të fortë, sa mund të shqyejnë një veshje antiplumb. Qentë e pajisur me kamera nate, me rreze të kuqe, janë përdorur edhe në të kaluarën në misione sekrete. Kafshët kanë maska speciale gazi për të mos u dëmtuar nga ndonjë sulm me kimikate në Irak dhe Afganistan.

Komision hetimi

Lideri i partisë kryesore opozitare ka bërë thirrje dje për një hetim të pavarur mbi faktin përse Ushtria pakistaneze nuk kishte dijeni për aksionin që vrau Osama bin Ladenin. Kërkesa u bë nga Navaz Sharif, kreu i partisë “Liga Myslimane Pakistaneze”, që kërkoi një komision gjyqësor të pavarur për ta raportuar këtë çështje brenda 21 ditëve.

© Panorama.al

Te lidhura