Divorci me vëllain e Belinda Ballukut, “kunjat” për Nedën! – ‘Po mbiemrin do ta mbash?’ Ja si përgjigjet kunata e ministres

Nov 5, 2025 | 15:27

Neda Balluku, kunata e Belinda Ballukut ka bërë publik divorcin e saj me bashkëshortin, Ogren, që është vëllai i ministres Belinda Balluku e pandehur nga SPAK për aferën e Tunelit të Llogarasë.

neda balluku

Ajo i jep fund martesës me vëllain e Belinda Ballukut pas 15 vitesh bashkëjetesë, ndërsa ka sqaruar se marrëdhënia e tyre prej disa vitesh nuk ishte e qëndrueshme.

“Prej shumë vitesh tashmë, marrëdhënia nuk është e shëndetshme. Prej disa kohësh jetojmë të ndarë dhe kjo është gjithçka që dua të them për këtë sepse do doja shumë ta menaxhoja me privatësi sepse prioriteti më i madh dhe i vetëm, absolut, janë fëmijët”, u shpreh Neda Balluku në emisionin “Goca dhe Gra”.

Gjatë emisionit, ku ajo promovoi edhe librin e saj “I dashur, ti je trap”, u ngacmua nga Rozana Radi, ish konkurrente e Big Brother Vip.

“Libri del kur divorci bëhet publik, është një rastësi?” – e pyeti Rozana Neden, ndërsa kjo e fundit iu përgjigj: “Nga ty e pres këtë pyetje, por sigurisht që është tërësisht rastësi, sepse nuk bëhen shaka me gjërat e jetës. Unë di ta ndaj shumë mirë punën time publike dhe situatat e mia familjare.”

Më tej, Rozana e pyeti Neda Ballukun se si e menaxhon dashurinë në ekran, kur dashuria e saj po përballet me dyert e gjykatës, ndërkohë që është autore e një programi dashurie si “Përputhen”, ku ‘mëson’ rininë si të dashurohet.

“Ti t’i thuash një gruaje që sapo ka humbur një dashuri të vetën të madhe, se si do shkosh t’ua mësosh të rinjve, nuk është ok” – tha Neda, pasi u shpreh se nuk është detyra e autoreve të mësojnë të rinjtë si të dashurojnë, por janë ata që i tregojnë publikut se si dashuron brezi i ri.

“Duke qenë se nuk e keni ‘sapo humbur’, por thatë që kemi disa vite që jemi ndarë, nuk qëndron kjo që thatë” – ia ktheu Rozi.

Më tej, një tjetër pyetje që Rozi i bëri Nedes ishte: “Pamë kopertinën e librit tuaj dhe ju mbanit mbiemrin e ish-bashkëshortit. Do vazhdoni ta mbani mbiemrin e tij?”

“Unë mendoj që është një linjë shumë e hollë ndërmjet të ndarit biseda shumë të rëndësishme dhe llafe grash, edhe pyetja jote që sapo bëre është pak llafe grash” – tha Neda duke qeshur në mënyrë ironike.

Rozana: “Jo, mbiemri nuk është llafe grash.”

Neda: “Ka mbaruar Big-u, Rozana.”

Rozana: “Nëse nuk mund të përgjigjesh thuaj thjesht ‘nuk di’ ose ‘nuk mund të përgjigjem’.”

© Panorama.al

Te lidhura