Dita e Verës në Kukës, goma makinash në flakë për zjarr

Mar 13, 2011 | 11:09

Një festë tradicionale që starton mbrëmjen e 13 marsit e vazhdon gjatë gjithë ditës së nesërme, më 14 mars, datë që konsiderohet si ndarje me dimrin. Sonte në darkë pritet që në qytetin e Kukësit dhe në fshatrat përreth të ndizen qindra apo mijëra zjarre, si paralajmërim për Ditën e Verës. Por ky ritual duket se po e humb traditën, pasi për ndezjen e zjarreve po përdoren goma makine. Me qindra goma sigurohen në rrugë të ndryshme e grumbullohen pranë banesave, pallateve e shesheve, për t’u vënë zjarrin natën e para 14 marsit. Ndotja e krijuar prej tyre është shumë herë më e lartë sesa gëzimi, por ky proces nuk ndalet. Afrimi i Ditës së Verës po sjell një fenomen tashmë të njohur në Kukës, atë të grumbullimit dhe djegies së gomave të vjetra, të cilat jo vetëm janë rrezik serioz për jetën e fëmijëve, por dhe krijojnë një ndotje masive të mjedisit. Duke shfrytëzuar dhe ditët e pushimeve, një numër i madh fëmijësh, të organizuar në grupe po sjellin në qytet qindra goma të vjetruara për t’ua vënë flakën natën e Verës. Në fakt, nata e Verës, përveç riteve pagane që mbahen në këtë natë identifikohet si “nata e zjarreve”, por që historikisht janë djegur drurë apo shkurre, që kanë tepruar nga stina e dimrit dhe jo goma automjetesh. Në qytetin e Kukësit, 14 marsi është festuar që nga lashtësia, madje dhe në kohën e monizmit. Nesër priten shumë manifestime, ku më të rëndësishmit janë panairi i prodhimeve tradicionale të Kukësit dhe një koncert i madh festiv në stadiumin e qytetit. Kjo festë shënon ndarjen me stinën e ftohtë të dimrit, ndonëse në Kukës stina e ftohtë vazhdon dhe pas mesit të marsit. Nata e 13 marsit dhe Dita e Verës përcillen me një sërë ritesh. Ato nisin me prerjen e thuprave nga shelgje që sapo kanë lëshuar sythet dhe me to krijohen rrathë, me të cilët anëtarët e familjes flenë gjatë gjithë natës, çka simbolizon marrjen e të këqijave dhe sëmundjeve të trupit. Të nesërmen, kularët hidhen në ujë nga fëmijë e të rinj, ndërsa shprehen lutje për pjesëtarët e familjes. Riti vazhdon me spërkatjen me këtë ujë të të gjithë anëtarëve të familjes. Ky rit paraprihet dhe nga bajrakët e Ditës së Verës, të cilët ngrihen në mëngjes herët me shami shumëngjyrëshe, vezë të lyera, fruta e dekor festiv. Bajraku vihet në një pikë të dukshme në çdo shtëpi dhe më pas vajzat dhe nuset e reja të çdo fisi dalin në lëndina duke kënduar këngë për bajrakun. Kjo është si një garë mes fiseve dhe grupeve të të rinjve, ashtu si zjarri i natës së Verës, që ndizet më 13 mars. Ceremonitë vazhdojnë me gatimet tradicionale të kësaj dite.

KUKES/ JONUZ HALLACI

Elbasani starton festimet me koncert

Elbasani është gati për të festuar Ditën e Verës. Në sheshin para portës së kalasë, është montuar skena gjigante, në të cilën prej mbrëmjes së djeshme, e deri në orët e para të 14 marsit do të organizohet koncerti i madh. Paraditen e djeshme është hapur panairi i përvitshëm, i organizuar në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë në Elbasan, ku marrin pjesë rreth 40 subjekte. Në mbrëmje ka nisur koncerti me këngëtarë të muzikës popullore nga mbarë vendi dhe ansambli “Isuf Myzyri” i Elbasanit. Muzika nuk do të ndërpritet deri në fundin e festimeve. Mesnatën e ndërrimit të datave 13 me 14 mars, kryebashkiaku Qazim Sejdini pritet të përshëndesë qytetarët e tij me rastin e Ditës së Verës e më pas radhën do ta kenë fishekzjarrët. Gjatë paradites së nesërme do të organizohen karnavalet e përgatitura nga shkollat e qytetit, për të vazhduar më pas me festimet familjare e drekën tradicionale, ku vendin kryesor e mban bollokumja.                    a.k

© Panorama.al

Te lidhura