Elbasani është shndërruar dje në “kryeqytetin” e vendit. Mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria, por edhe shtetas të huaj, kureshtarë për këtë ditë feste, kanë shijuar ballokumen tradicionale të Elbasanit.Festimet nisën që mbrëmjen e 13 marsit, ku sipas burimeve nga bashkia, u mblodhën rreth 40 mijë qytetarë. Ndërsa dje, numri i tyre shënoi rekord, pasi të njëjtat burime bënë të ditur se shifra arriti në rreth 200 mijë vetë. “Kemi ardhur nga jashtë vendit vetëm për të festuar Ditën e Verës. Kishim dëgjuar për këtë ditë, ndaj erdhëm për të festuar dhe për të shijuar gatimet tradicionale të Elbasanit”, u shpreh njëri nga pjesëmarrësit në turmën e turistëve të ardhur jo vetëm nga Shqipëria, por edhe shtete të tjera.
Festa nisi që darkën e 13 marsit me një koncert që u zhvillua në qendër të qytetit. Ndërsa ditën e djeshme, festimet u zgjeruan jo vetëm në qytet, por edhe në pikat turistike të tij. Vizitorë të shumtë nuk munguan as në panairin “Dita e Verës”, që do të qëndrojë i hapur deri ditën e sotme. Qindra fëmijë të shkollave të Elbasanit, që mbanin pankarta si “Stop dhunës”, “Mbani pastër mjedisin” etj, kanë shfrytëzuar këtë festë për të dhënë mesazhe paqeje. Pjesë e ceremonisë së djeshme kanë qenë dhe karnavalet e organizuara po nga nxënësit e shkollave, pjesë tradicionale e Ditës së Verës. Ndryshe nga një vit më parë, në këtë festë këtë vit nuk mungoi kryeministri Berisha me zonjën e tij, por edhe me nipër e mbesat e tij. Gjithashtu, në festën tradicionale në Elbasan ishte i pranishëm edhe lideri i opozitës, Rama, si dhe personalitete të tjera të politikës dhe përfaqësues të trupave diplomatike të akredituara në Tiranë. Ata kanë preferuar që këtë ditë të shënuar ta ndajnë me qytetarët e Elbasanit, të cilët shquhen për stilin e veçantë të festimeve për këtë ditë. Festimet nisën që në orët e mëngjesit ku përpara sheshit qindra të rinj kanë nisur me karnavalet që ishin organizuar nga shkollat në bashkëpunim me shtëpinë e kulturës. Në festë mungoi presidenti Topi, i cili nuk merr pjesë në Ditën e Verës në Elbasan, që prej vitit 2008. Kjo ditë festohet kryesisht në gjithë vendin, por në Elbasan merr përmasa të mëdha dhe shoqërohet me gatimin e ëmbëlsirës tradicionale të kësaj dite, ballokumet. Dita e Verës është festë e përtëritjes së natyrës e vazhdimësisë së jetës, me prejardhje pagane. Në Elbasan është bërë festë popullore e mbarësisë familjare dhe festohet nga të gjithë, pa dallim. Festohet më 14 Mars, pikërisht kur mendohet se ka filluar mbirja e bimësisë tradicionale, siç janë manushaqet. Ndërkaq, sipas një shifre të përllogaritur, në këtë qytet janë prodhuar më shumë se 1.5 milion ballokume, për të cilat janë dashur më shumë se 150 ton miell misri, që shërben për përgatitjen e kësaj ëmbëlsire.
ELBASAN/ ALDO KOZARIA
Zjarret pushtojnë Kukësin, festë masive
KUKES – Mbrëmja e 13 marsit e identifikuar si nata e verës e ka përflakur qiellin e Kukësit si në fshat ashtu dhe në qytet nga zjarret e shumta. Mbi 5 mijë gomave të vjetruara të automjeteve u është vënë flaka, kryesisht nga fëmijët dhe të rinjtë në formën e një gare se flaka e cilit zjarr do të “prekë qiellin”. Këto goma sipas ambientalistëve kanë çliruar shumë gazra helmuese dhe era e gomave të djegura është ndjerë dhe gjatë orëve të para të mëngjesit. Edhe policia dhe zjarrfikësit nuk e kanë kaluar pa vëmendje dhe gatishmëri këtë situatë dhe në një rast kur flakët janë përhapur në periferi të qytetit është dashur që të ndërhyhet për shuarjen e tyre. Thuajse çdo pallat apo lagje kishte zjarrin e vet edhe në qytet, ndërkohë që në fshatra zjarret ndizen në vende më të hapura. Pas zjarreve festa ka vazhduar ditën e djeshme, kur ritmet e daulleve, veshjet popullore , si dhe panairi i prodhimeve agro-blegtorale dhe gatimet tradicionale kanë paralajmëruar ardhjen e ditës së verës në Kukës. Bashkia e qytetit ishte përkujdesur që në panairin e çelur enkas për ditën e verës të ekspozoheshin prodhimet më të mira të zonës, ku padyshim flija e Kukësit është gatimi më i veçantë. Më pas në stadiumin e qytetit mijëra banorë kanë ndjekur një koncert festiv më këngëtarë vendas dhe të ardhur enkas nga Kosova. j.h
© Panorama.al











