Komisioni i Disiplinës e ka nisur me “dorë të hekurt” sezonin e vet për këtë vit futbollistik. Në vetëm 9 raste të shqyrtuara, bazuar në rregulloren e re të FSHF-së, por më së shumti bazuar në relacionet e sjella para këtij organi nga ana e arbitrave për secilin rast, janë dhënë 50 milionë e pesëqind mijë lekë (të vjetër) gjoba. Veç kësaj, Komisioni nuk ka ngurruar që të ndëshkojë me 22 javë pezullim personat e marrë në shqyrtim për veprimet e tyre dhe 2 vjet largim nga futbolli (ose të konvertuara në javë futbollistike, 63 javë: kampionat dhe kupë), për kapitenin e Luftëtarit, Nertil Stoja. Siç vërehet, Disiplina, ashtu si vitin e kaluar, e ka nisur “me sëpatë në dorë”, duke u munduar që ta ulë në masë problematikën në futbollin shqiptar, por nuk dihet nëse kjo gjë do të vazhdojë me të njëjtat standarde për të gjithë protagonistët, në të gjitha kategoritë. Klubi më problematik, i marrë në shqyrtim, ka qenë ai i Skënderbeut të Korçës, i cili është ndëshkuar me plot 18 milionë lekë (të vjetër), për trazirat që shkaktuan tifozët e kësaj skuadre në shkallët e stadiumit, në dy ndeshjet e fundit: në finalen e Superkupës me Tiranën dhe në ndeshjen e javës së parë të Superiores ndaj Tomorit. Por, ajo që bie në sy është fakti se KF Skënderbeu është ndëshkuar vetëm me gjobë, duke mos iu pezulluar fusha dhe zhvillimi i takimeve të radhës në stadium asnjanës. Faktikisht, pas problemeve që u panë në Superkupë, trazirat në ndeshjen me Tomorin përbënin një rast të përsëritur, ndaj edhe ndëshkimi, përveç gjobës, duhej të kishte edhe masën shoqëruese me pezullim të fushës. Ndërkaq, komisioni ka dënuar edhe presidentin e Tiranës, Refik Halili, i konsideruar si personi përgjegjës për problemin që ndodhi para dhe gjatë ndeshjes Skënderbeu-Tirana, edhe pse faktikisht si sekretari i FSHF-së Prodani dhe presidenti i Skënderbeut, Zeqo, patën pohuar se Halili ishte i vetmi person i papërfshirë.
Vendimet e plota të Disiplinës
1) KF Skënderbeu dhe KF Tirana, për sjellje të gabuar të
spektatorëve dhe hedhje të sendeve djegëse dhe të forta në fushë,
gjatë ndeshjes për Superkupën e Shqipërisë, dënohen secili
me
1 500 000 lekë gjobë, bazuar në nenin 67.3/b. Në këtë rast,
nuk aplikohet pjesa tjetër e dënimit të parashikuar në këtë nen,
për shkak se ndeshja është luajtur në fushë asnjanëse.
2) Zyrtarët e KF Tirana: Refik Halili dhe Riza Hicka, për
sjellje të keqe ndaj zyrtarëve të ndeshjes së Superkupës së Shqipërisë,
në bazë të nenit 49,2/a të KDS-së dënohen me 8 (tetë)
ndeshje pezullim nga aktivitetet kombëtare dhe 500 000 lekë
gjobë secili.
3) Lojtari i KF Skënderbeu, Blendi Shkëmbi, për sjellje
josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të neneve 48.1/d dhe
48.3, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim dhe 100 000 lekë
gjobë.
4) KF Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve dhe
hedhje sendesh të forta në fushë në ndeshjen me KF Tomori,
në bazë të nenit 67.3/a, dënohet me 300 000 lekë gjobë.
5) Lojtari i KF Luftëtarit, Nertil Stoja, për sulm dhe ofendim
ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të neneve 49.1/c, 49.3
dhe 141 të KDS-së, dënohet me 24 muaj pezullim nga aktivitetet
dhe 250 000 lekë gjobë.
6) KF Luftëtari, për sjellje të gabuar të spektatorëve dhe
hedhje sendesh të forta në fushë, në bazë të neneve 67.3/a dhe
141 të KDS-së, dënohet me 150 000 lekë gjobë.
7) Trajneri i KF Iliria, Fatmir Sala, për fyerje të zyrtarëve
të ndeshjes, në bazë të neneve 57.1/a dhe 141 të KDS-së, dënohet
me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet dhe 50 000 lekë
gjobë.
8) Lojtari i KF Iliria, Indrit Gjokea, për fyerje të zyrtarëve
të ndeshjes, në bazë të neneve 57.1/a dhe 141 të KDS-së, dënohet
me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktivitetet dhe 50 000 lekë
gjobë.
9) KF Butrinti, për sjellje të gabuar të spektatorëve dhe
hedhje sendesh të forta në fushë, në bazë të neneve 67.3/a dhe
141 të KDS-së, dënohet me 150 000 lekë gjobë.
LEONARD KARAJ











