Diplomë profesionale që në moshën 18 vjeç. Studimet mund t’i nisin dy vite përpara se të bëhen maxhorenë. Këtë parashikon ligji i ri “për arsimin dhe formimin profesional”, cili ka kaluar tashmë për diskutime në komision parlamentar. Nga sa përcaktohet aty, ky cikël do të ofrohet në 6 nivele. Është detajuar sesa do të jetë kohëzgjatja e secilit nivel, ndërkohë që studimet do të variojnë nga 2-4 vjet. Për shkak të ndryshimit të sistemit nga 8-vjeçar, në 9-vjeçar, ka ndryshuar mosha, për sa i përket hyrjes në AFP-në e të gjithë atyre që kanë përfunduar arsimin bazë. Tani të gjithë ata që janë në kërkim të një pune, mund të ndjekin arsimin profesional deri 16 vjeç. Më pas mund të sigurojnë një vend pune. Më parë kufiri i moshës për përfundimin e këtyre studimeve ishte 18 vjeç. “Në përputhje me ligjin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, janë sqaruar edhe mundësitë për hyrjen, vijimin dhe transferimin nga një nivel apo tip i AFP në një tjetër”, sqaron Ministria e Arsimit. Ndryshimet ligjore parashikojnë edhe mbështetjen që qeveria do t’u japë bizneseve që bashkëpunojnë dhe mbështesin zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional në vend. Rëndësi e veçantë i është kushtuar Këshillit Kombëtar të Arsimit dhe Formimit Profesional, organizimit dhe funksionimit të tij. Me ligjin e ri hapet mundësia e ofrimit të programeve të hapura për të gjithë personat që përmbushin kriteret për pranimin dhe regjistrimin, të përcaktuara nga MASH-i apo Ministria e Punës. Po kështu, do të vendoset një sistem klasifikimi i profesioneve dhe i kualifikimeve profesionale. “Lista kombëtare e kualifikimeve profesionale do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në bashkëpunim me Partnerët Socialë.”, thuhet në ligj. Në të i është kushtuar një rëndësi e veçantë krijimit të hapësirave të nevojshme të bashkëpunimit me partnerët sociale dhe komunitetin e biznesit. Ky bashkëpunim është i domosdoshëm për të pasur një arsim dhe formim profesional efektiv dhe sa më pranë kushteve reale të punës. Në kuadër të decentralizimit, shkollave dhe qendrave të formimit u duhet dhënë më shumë autonomi që të mund të përdorin burimet në një mënyrë më fleksibël. Shkollat dhe qendrat duhet të kthehen në agjenci formimi dhe qendra shumëfunksionale, që të jenë të afta të ofrojnë në treg shërbimet e tyre. Në këtë sistem të decentralizuar, shkollave do t’u kërkohet të marrin përgjegjësi të mëdha në planifikimin, menaxhimin dhe përmirësimin cilësor të shërbimeve që ato sigurojnë. Aktualisht, strukturat dhe personeli ekzistues kanë kapacitete të kufizuara për ta kthyer këtë në realitet.











