Diploma e maturës, tani edhe në anglisht

Mar 28, 2011 | 10:35

Elementë të fortë sigurie për diplomën e maturës. Ministria e Arsimit jep garanci se formati i ri do të jetë i pafalsifikueshëm.Ajo do të shoqërohet edhe nga suplementi, i cili do të jetë në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Prej pak ditësh MASH ka gati formatin e ri. Thelbësore është risia se dokumenti që vërteton përfundimin e shkollës së mesme, nuk do të lëshohet më nga drejtoritë e shkollave, por nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Diploma, e cila do të zëvendësojë dëftesën, do të shtypet në shtypshkronjë të veçanta. “Është bërë më dije tashmë që diploma e maturës zëvendëson dëftesën e deritanishme. Është një dokument që e lëshon jo më shkolla, por drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Shtypet në shtypshkronja të letrave me vlerë, pra është një karton që në brendësi përmban logon e Ministrisë”, sqaron Isuf Neli, drejtori i burimeve njerëzore e koordinimit pranë MASH. Diploma në përmbajtje të saj do të ketë gjeneralitetet përkatëse të nxënësit, si dhe konfirmimin që ka mbaruar studimet e mesme në shkollën përkatëse. Ndërkohë, bashkëngjitur diplomës do të jetë edhe suplementi shoqërues, në të cilin do të evidentohen të gjitha rezultatet në nota të arritura nga maturanti gjatë katër apo pesë vjetëve të shkollimit për të gjitha lëndët që ka studiuar. Në suplementin apo listën e notave do të shënohen edhe rezultatet e arritura në katër provimet e detyruara të maturës 2011. “Certifikata e notave ka elementë sigurie vetëm ID e nxënësit dhe përputhet me ID e nxënësit në diplomë, pra, ID që merr nxënësi në provimet e Maturës Shtetërore dhe janë të pasqyruara notat e 4 ose pesë viteve. Ka një kosto shumë më të lartë se të një dëftese pjekurie”, thotë Neli. Për sa i përket falsifikimit, nënvizon  se do të jetë tepër e vështirë, pasi tashmë në ketë proces do të përfshihet edhe shtypshkronja, e cila  do të ketë një përgjegjësi të veçantë. Në përmbajte të saj, diploma do të konfirmojë se është e vlefshme vetëm për këtë vit shkollor, 2010-2011. Kjo do të thotë se në maturën e vitit të ardhshëm formati do të jetë i ngjashëm, por do të ndryshojnë lëndët që do të listohen në të, duke qenë se do të diplomohen maturantët e parë pas aplikimit të sistemit të ri të arsimit të mesëm, i cili tashmë ka kaluar në trevjeçar(duke qenë se arsimi i detyruar është bërë 9-vjeçar). Konkretisht, lëndët për maturantët e 2012 specifikohen në lëndë bërthamë dhe lëndë me zgjedhje, ndryshe nga ata që mbarojnë shkollën e mesme gjatë këtij vitit. Sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e provimeve të këtij viti, maturantët detyrimisht duhet të marrin të katër provimet për të pasur diplomën e maturës. E vetëm pasi të kenë marrë diplomën, do të mund të vijojnë procedurën për pranimet në shkollat e larta publike.

Konsultimet

Për lëndët e provimeve të detyruara, konsultimet do të zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje, mbi bazën e grupit të formuar nga drejtoria e shkollës, duke marrë për bazë të dhënat e formularit A1. Një javë përpara secilit testim, do të zhvillohen mesatarisht 5 orë konsultime në letërsi, 8 orë konsultime në matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje. “Përgjigjet do të jepen brenda një harku kohor prej 10 ditësh për secilin provim”, sqarojnë specialistët e MASH-it. Sipas tyre, për të plotësuar formularin A2, kandidatët do të kenë afat deri në 30 korrik.

Provimet

Nuk do të ketë shkurtim të kohës në dispozicion të maturantëve për provimet e maturës. Specialistët e Ministrisë së Arsimit kanë vendosur që ajo të jetë e njëjtë me vitin e kaluar. Ndonëse vetë kreu i MASH-it, disa muaj më parë deklaroi se kohëzgjatja e testimit do të rishikohej e do të ulej ,pas konsultimeve, është parë e udhës të mos ketë ndryshime.

Pranimet, degët prioritare për më shumë kuota

Ndonëse nuk është vendosur ende përfundimisht për vitin që vjen, kuotat e pranimeve në fakultetet publike do të rriten me 10 për qind. Prioritet do të kenë degët e shkencave teknike, natyrore, gjuhët e huaja, shkencat e jetës, ekonomia dhe administrimi. Një tjetër prioritet në përcaktimin e rritjes së kuotave të pranimit mbetet edhe nevoja që kanë disa programe (më pak të kërkuara nga maturantët) për të shtuar pranimet, kërkesë e cila faktohet edhe nga tregu i punës.

© Panorama.al

Te lidhura