Dinamo-MTKRS, nisin përplasjet e para

Mar 10, 2011 | 11:11

Kanë nisur përplasjet e para mes klubit Dinamo dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më saktë, përplasjet janë me Agjencinë Kombëtare të Shërbimit të Sporteve, e cila që më 17 shkurt është vendosur në Kompleksin Dinamo, teksa ka marrë katin e parë dhe katin e dytë të hotelit, si dhe zyrat, që kanë qenë të shumësportëshit. Që në ditën e parë të bashkëjetesës është folur për përpilimin e kontratës, por deri më tani kjo ajo nuk është përpiluar. Dhe për shkak të mungesës së kësaj kontrate, e cila në fakt është thënë se është përpiluar nga dinamovitët, kanë lindur dhe përplasjet. Sinjali ka ardhur që të hënën, kur polici i vendosur nga agjencia nuk i ka lënë të rinjtë të stërviten në barin sintetik. Më pas është shkuar më tej. Makinat e lojtarëve të ekipit të parë nuk janë lejuar brenda oborrit të kompleksit, siç ka ndodhur deri të martën. Kanë shpëtuar nga syri i policit që ruajnë objektet makina e Emiljano Vilës dhe e Erjon Xhafës, kurse të tjerat, deri te e kapitenit blu, Arjan Pisha, kanë qenë jashtë rrethimit. Menjëherë pas këtyre problemeve, administratori i bluve, Ismet Saliaj, ka diskutuar me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Sporteve, Klodiana Shala, për të zgjidhur ngërçin.

© Panorama.al

Te lidhura