Dilema

Mar 7, 2011 | 10:14

YLBER LILI

Ende pa u ulur rrafsh në rolin e Presidentit, Behgjet Bacollit, thënë në mënyrë metaforike, i janë qepur dy kostume:, njëri  i njollosur dhe i zhubritur, ndërkaq tjetri, ndonëse pa finesën e duhur i kristaltë dhe i hekurosur. Fjala është për masivizimin e njerëzve, politikë mediatike dhe publike që janë kundër zgjedhjes së tij si President dhe pjesës minorancë, e cila orvatet që ta glorifikojnë Pacollin, si të ishte një yll polar që zbriti për të ndriçuar të ardhmen dhe perspektivën e Kosovës.  Një qasje e tillë bardhë e zi vazhdon të mbetet top temë në mediat e vendit dhe ato ndërkombëtare, në qarqet politike këndej e andej kufirit, në ambientet intelektuale dhe akademike gjithkund, si i thonë vend e pa mend.
Pra, në një farë mënyre, të gjithë pa përjashtim kanë marrë turravrapin, duke i qepur e shqyer kostume Pacollit, sakaq kanë anashkaluar Kosovën hallemadhe. Dmth, sfidat dhe prioritetet e shtetit të ri, standardet dhe betejat reformuese të institucioneve, kemi harruar luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, vendosjen e shtetit ligjor në të gjithë hapësirën e shtetit, njohjet që kanë ngecur në çengelin e papërgjegjshmërisë dhe të amatorizmit të politikës, kemi harruar se cila është ana substanciale e bisedimeve më Beogradin.
Mbi gjithçka, janë fragmentarizuar problematikat, kaoticizmi, papjekuria, përçarjet, për rrjedhojë antagonizmat e relacionit mik-armik të politikës shqiptare në Kosovë. Shikuar nga ky kontekst, Presidenti Pacolli është produkt i mbretërisë së kaoticizmit politik dhe institucional, që u mbars me koalicionin PDK-LDK, lulëzoi me dorëheqjen e z.Sejdiu, shtriu spiralen në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, hodhi shtat me dilemat për koalicionin dhe kulmoi në parlament me certifikimin e Pacollit si President.
E thënë në mënyrë të përmbledhur, aktualisht Kosova e ka Presidentin e saj, i cili do të mbetet në fron i kontestueshëm jo thjesht se profili i tij është i dyzuar, por ngaqë është produkt le ta themi troç i pazareve për pushtet, i kapriciove politike i interesave meskine dhe grupore. Ky është realiteti, gjithçka tjetër hyn tek kronikat me tri episode sa qesharake, aq edhe absurde, që u dizajnuan në odat e politikës së Kosovës dhe vijuan ne parlament.
Pra, Presidenti aktual i Kosovës do të mbetet i kontestueshëm, ngaqë ai nuk është produkt i konsensusit të gjerë, i moralit politik, i parlamentarizmit, madje as i popullit, por produkt i pazareve, i sherreve politike, i trysnisë, shantazhit, prapaskenave, i asgjësimit politik të tjetrit. Si i tillë, Presidenti do të vazhdojë të mbetet i kontestueshëm, qeverisja do të jetë e brishtë, ndërkaq Kosova do të paguajë koston e këtij produkti. Natyrisht, në kësi rrethanash dikush duhet ta mbajë peshën e fajit. Në rastin konkret, gishti drejtohet nga e gjithë klasa politike në Kosovë, e cila interesat individuale dhe grupore i ka vendosur mbi interesat shtetërore. Pse? Përtej atyre që thamë më sipër, Presidenti i sapozgjedhur, njëkohësisht i kontestuar i Kosovës, arriti të përfitojë si pasojë e antagonizmave të thellë mes lidershipit  të UÇK-së. Kësaj i thonë kur grinden dy vetë, fiton një i tretë.
Pra, shkaqet e kaoticizmit politik dhe institucional në Kosovë, duhen kërkuar tek mëritë mes lidershipit politik, tek iniciativat për interesa grupore, tek logjika shantazhuese e asgjësuese e tjetrit, tek etja për pushtet. Kosova, nëse politika e saj do të ishte e përgjegjshme për interesat shtetërore dhe kombëtare, për perspektivën nuk do binte në gjumë dhe të zgjohej duke u marrë me Presidentin e kontestuar, as me interesat meskine të politikës ditore, por të gjitha energjitë dhe potencialet do të kanalizoheshin për stabilitetin, sigurinë, forcimin e institucioneve, demokracinë funksionale, zbatimin e prioriteteve dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Në këtë kuptim, përgjegjës për kaoticizmin, ngulfatjen e jetës politike dhe demokracisë është e gjithë politika e Kosovës.
Shtrohet pyetja: a ka pasur mundësi reale për t’i paraprirë fenomenit? S’do mend që po. Nëse Thaçi nuk do të kishte qëllim në vetë postin e kryeministrit, nëse opozita do të tregohej me e pjekur dhe të ndalte vrullin shantazhues ndaj kryeministrit, nëse shoqëria civile do të tregohej me vigjilente. Natyrisht që çdo veprim politik e ka një kosto, por rëndësi ka që fatura të jetë me pak e kushtueshme. Sidoqoftë, ka pasur mundësi që fatura të ishte me pak e kushtueshme: opozita të bëhej pjesë e koalicionit qeverisës, duke marrë në konsideratë interesat kombëtarë, në të kundërt Thaçi të pranonte logjikën e zgjedhjeve të reja, natyrisht për hir të interesave madhorë të Kosovës. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu, përkundrazi, interesat partiake pushtuan hapësirën e interesit shtetëror dhe kombëtar. Pikërisht kjo është fatura e kushtueshme që bie mbi shpinën e Kosovës hallemadhe.
Tashmë, kemi një maxhorancë që ngjan me një martesë të vonuar, ku ripërtëritja nuk duket gjëkundi, dmth kemi një krushqi që nuk ka lidhje programore me tjetrën, kemi një qeverisje e cila do t’i shërbejë opozitës për ta goditur me topa shantazhues. E thënë më fjalë të tjera, kemi një maxhorancë anemike e një opozitë të bashkuar dhe të fuqishme, e cila në emër të kartonëve dhe të moralit politik ka përparësi. Jo vetëm kaq. Kosova, ka një qeveri e cila rrezikohet edhe nga brenda, bashkëqeverisja me minoritetet, konkretisht me serbët, turqit, ashkalijtë, etj, në esencë është problem më vete. Ata, përfaqësuesit e minoriteteve, do të bëjnë obstruksione duke kërkuar hapësira që nuk u takojnë. Secili prej tyre do të tentojë të dëmtojë strategjinë etnike, duke kërkuar alternativa multietnike deri në absurd.
Marrë në tërësi, përtej dritë-hijeve të profilit dhe mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, shtrihet një pirg i madh problemesh, që janë pasojë e politikës infantile të klasës politike në Kosovë. Tani për tani, jemi të detyruar të pranojmë se Kosova ka një opozitë të fuqishme dhe një mazhorancë multietnike dhe anemike, një oreks të pamerituar të minoriteteve, një parti fituese të hapërdarë dhe një imazh të diskutueshëm për vendin. Mbi të gjitha, Kosova ka një President të kontestueshëm dhe të shantazhueshëm, profili i të cilit lë shumë njolla në kostumin e tij, paçka se disa syresh orvaten ta paraqesin ne mënyrë patetike gati hyjnor, anipse Pacolli kapitalin e biznesit, që e shet si model suksesi, e ka të përqendruar në  Rusi. Në këtë kuptim, tashmë shfaqet dilema: a mbetet ende Ballkani në përgjithësi dhe Kosova në veçanti prioritet i SHBA-ve?! Kjo çështje do të shihet dhe dihet në të ardhmen e afërt. Ajo që dimë, është se gjithçka që potencuam më sipër, është rezultat i vendosjes së interesave individuale, grupore dhe partiake mbi interesat shtetërore të Kosovës.

© Panorama.al

Te lidhura