Dibër, kandidatët e PS dhe PD përplasen me armë

Mar 27, 2011 | 9:41
Fshati ku ndodhi ngjarja në Burrel

“Nxehet” ende pa nisur mirë fushata për zgjedhjet vendore. Dy kandidatët e komunës Kala e Dodës janë përplasur dje mes tyre, duke nxjerrë dhe armët, në një ngjarje që zyrtarisht cilësohet aksidentale.Përplasja ka ndodhur paraditen e djeshme në komunën e Kalasë së Dodës dhe ka për protagonistë dy kandidatët për kryetarë komune, përfaqësues të dy forcave kryesore politike. Policia tha se ngjarja ka ndodhur për shkak të një parakalimi makinash, ndërsa kryetari në fuqi i komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari, i ka sqaruar rrethanat e ngjarjes krejt ndryshe, duke e cilësuar si të qëllimshme.
Policia
“Rreth orës 10.00 është dhënë informacion në sallën operative të Komisariatit të Policisë Dibër se në komunën Kala e Dodës ka ndodhur një konflikt mes disa shtetasve. Me të marrë informacion, forca të shumta policie kanë vajtur në vendngjarje. Nga hetimet e para ka rezultuar se në fshatin Ujëmirë, të komunës Kala e Dodës ka ndodhur një konflikt mes shtetasve Bajram Himallari, 44 vjeç, me detyrë kryetar i kësaj komune dhe shtetasve Islam Ahmataj, Bujar Mahmutaj, Islam e Remzi Kupa, të gjithë banorë të kësaj komune. Gjatë hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Bajram Himallari ka qëlluar me pistoletën që e mbante me lejen e organeve kompetente dhe motivi i kësaj ngjarjeje ka rezultuar të ketë ndodhur për motive të dobëta (për shkak të një parakalimi me automjet)”, pohohet nga policia e Dibrës në një komunikatë për shtyp. Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale është bllokuar një pistoletë “TT” që e mbante me leje shtetasi Bajram Himallari, si dhe një gëzhojë. Nga ana tjetër, Himallari e ka cilësuar të qëllimshme ngjarjen, duke pohuar se brenda në makinën që i zuri rrugën, ishte kreu i PD-së së komunës dhe kandidati përballë tij në zgjedhjet e 8 majit. Madje, sipas Himallarit, dy palët kanë nxjerrë armë, por ai vetë e ka shkrehur pa dashje.
Kryekomunari
“Paradite nisa udhëtimin drejt fshatit Ujëmirë, bashkë me një njeriun tim të afërm që do të shkonte në dasmë. Pasi kam udhëtuar pak kilometra, jam ndodhur prapa një mjeti që nuk ma lironte rrugën, megjithëse disa herë i kam dhënë sinjal parakalimi. Rreth dy kilometra kërkoja të parakaloja dhe rruga nuk po më hapej. Pasi gjeta një shteg të ngushtë, parakalova dhe ndalova për të parë cilët ishin personat që nuk hapnin rrugën. Sapo dola nga makina, nga dera e pasme e mjetit tjetër del Islam Ahmati, kryetar i Partisë Demokratike për Komunën Kala e Dodës. Desha të sqarohem pse nuk ma hapnin rrugën, ndërkohë ai shpërtheu në fyerje të rënda. Mori pastaj gurë për të qëlluar, por u shmanga mjaft mirë”, tha Himallari për gazetën “Panorama”. Mes palëve ka nisur konfrontimi fizik. “Pas sherrit fizik, kam parë përballë meje kandidatin e PD-së, Bujar Mahmutaj, që mbante një pistoletë në dorë. Edhe unë kam nxjerrë menjëherë armën, që mbaja me leje nga brezi. Në momentin kur po e nxirrja atë, ajo më është shkrehur përtokë, duke nxjerrë një plumb. Të pranishmit në këtë sherr kanë hyrë mes nesh. Pas pak minutash, ka mbërritur policia lokale në vendin e ngjarjes. Unë kam bërë denoncim për incidentin e ndodhur dhe jam larguar në drejtim të Kalasë së Dodës”, sqaroi kryetari i Komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari. Ai shtoi se kjo ishte një ngjarje e shëmtuar dhe nuk do ta dëshironte kurrë. “Nuk dua që fushata të shoqërohet nga konflikte, pasi unë jam natyrë e qetë. Boll padrejtësi më janë bërë kohët e fundit, tani vazhdojnë përsëri me incidente të rënda. Kam vendosur të mos tërhiqem deri në fund, pasi jam në të drejtën time”, përfundoi rrëfimin e tij kryekomunari i Kalasë së Dodës. Sipas Himallarit, edhe policia e ka përcjellë incidentin në mënyrë të njëanshme, duke “mbrojtur” padrejtësisht kandidatin e mazhorancës.

1 plumb
është qëlluar në vendin ku ndodhi incidenti mes palëve paraditen e djeshme.
Për këtë kryekomunari i Kalasë së Dodës pretendon se arma që ai mban është shkrehur pa dashje

Nisin hetimet për protagonistët

Policia e Dibrës konfirmoi dje faktin se kanë nisur hetimet për të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje, çka shënon dhe incidentin e parë të rëndë mes kandidatëve, ndonëse zyrtarisht deklarohet se ka ardhur pas një konflikti rastësor. Policia shtoi se të pestë personat, Himallari dhe katër udhëtarët në makinën tjetër, janë shoqëruar në komisariat dhe kanë dhënë dëshmi rreth incidentit që ka marrë ngjyrime politike. Ndonëse kryekomunari i PS-së ka deklaruar se dhe rivali i tij nxori armën nga brezi, ky fakt nuk është konfirmuar nga burimet zyrtare të policisë. Sipas komunikatës për shtyp të policisë së Dibrës, pohohet se është bllokuar pistoleta “TT” e kryekomunarit që e mbante me leje. Në këtë mes ka ndërhyrë dhe organi i akuzës, i cili po bashkëpunon për të dhënë variantin përfundimtar të ngjarjes së djeshme.

Berisha e shkarkoi Himallarin, Kushtetuesja e riktheu në detyrë

Më 20 gusht 2010, Antikorrupsioni i Tiranës vuri në pranga kryetarin e komunës Kala e Dodës dhe dy zyrtarë të komunës. Ai u akuzua për “shpërdorim detyre”, “falsifikim të vulave e stampave”, “falsifikim të akteve të gjendjes civile”. Arrestimi i kryekomunarit erdhi pas denoncimit të njërit prej këshilltarëve të komunës Kala e Dodës, i cili pretendonte se kryetari i komunës dhe specialisti i gjendjes civile i kishin ndryshuar gjendjen civile, vetëm që ai të mos merrte pjesë në mbledhjet e këshillit të komunës. Me 25 gusht, Këshilli i Ministrave, bazuar në akuzat e ngritura për Bajram Himallarin, vendosi shkarkimin e tij nga detyra. Në vendim thuhej se: “Me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi shkarkimin nga detyra, për shkelje të rënda të ligjit, të kryetarit të Komunës Kala e Dodës, Bajram Himallari”. Këtë vendim kryetari i Kalasë së Dodës e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo e fundit e konsideroi vendimin e qeverisë të padrejtë, të pabazuar në ligj dhe në fakte. Pas vendimit të Kushtetueses, Himallari u rikthye në krye të detyrës dhe pret rikandidimin nga Partia Socialiste për një mandat të dytë.

 

DIBER/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura