Dialogu Kosovë-Serbi, sot bisedimet në Bruksel

Mar 8, 2011 | 8:37

Kosova dhe Serbia nisin  sot bisedimet e para që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.  Bisedimet në Bruksel do të ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, dhe do të fokusohen në çështje të veçanta.

Prishtina shpreson që bisedimet të çojnë Beogradin që ta njohë pavarësinë e saj, të cilën Serbia e refuzon fuqimisht. Kosova është e njohur nga 75 shtete, përfshirë SHBA-të dhe shumica e vendeve të BE-së.

Dje Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë rezolutën për bisedimet Prishtinë-Beograd dhe miratimi i rezolutës u shty për të enjten.

Delegacionin e Prishtinës do ta kryesojë nënkryetarja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, kurse atë serb drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Boris Stefanoviç.

Ne seancen e djeshme, lideri dhe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke kundershtuar dialogun tha se Kosova po i bën një shërbim Serbisë duke i dëmtuar interesat e veta për fajin e politikës së saj të korruptuar.

“Në takimin e nesërm në Bruksel, zonja Edita Tahiri do të mundësojë që Serbia të duket ashtu siç nuk është. Të duket e mirë me shqiptarët, ndaj të cilëve nuk lëshon asnjë shans që t’ua nxijë jetën dhe të fitojë pikë për fqinjësinë e mirë karshi Kosovës, brenda së cilës i financon dhe dirigjon strukturat e saj ilegale”.
“Këto bisedime po i nevojiten kryeministrit Thaçi për pushtet, e jo Kosovës si shtet. Politikanët e korruptuar e shantazhuar si puna e Hashim Thaçit po i pranojnë negociatat në mënyrë që korrupsioni e shantazhi ndaj tyre të bëhet i negociueshëm”, u shpreh Kurti.
Kundër dialogut u pozicionua edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Nënkryetari i saj, Ahmet Isufi, tha se Qeveria po nxiton për të dialoguar me Serbinë, pa e pasur idenë se çka do të përfitojë dhe çka mund të humbë vendi.

© Panorama.al

Te lidhura