Dialog me Serbinë, negociata me BE

Mar 11, 2011 | 12:14

ARMAND SHKULLAKU

Edita dhe Borko u shfaqën përpara kamerave si të njohur të vjetër. Madje, iu drejtuan njëri-tjetrit në emër dhe u kujdesën të dinin nëse kishin pushuar mirë në natën e parë pas nisjes së dialogut.  Takimi aq shumë i përfolur i Brukselit, i fokusuar nga kamerat e dhjetëra televizioneve të botës dhe sytë e shumtë të gazetarëve, nisi me një shtrëngim duarsh dhe pasoi me një foto-suvenir me flamurin e BE-së në sfond. Atmosfera që ai prodhoi kontrastoi me situatën e tensionuar dhe ankthin që ka përfshirë opinionin politik dhe qytetar në Kosovë. Frika se në zyrën e Rober Cooper-it, Kosova mund të detyrohet të lëshojë apo rrezikojë diçka, mbetet ende e fortë.
Ka shumë arsye se përse dialogu Prishtinë-Beograd shihet me dyshim këtu. Ai është një dialog që i ndihmon Serbisë (pa e detyruar të njohë pavarësinë e Kosovës), të marrë statusin e vendit kandidat për BE. Kosova na ana e saj, veç disa çështjeve praktike, që janë me rëndësi të madhe gjithsesi, nuk duket se përfiton diçka tjetër, pra as tërheqje nga pozitat e mëparshme të Serbisë në raport me statusin e saj dhe as ndonjë koncension në afrimin me BE-në. Në këtë dialog, ku ndërmjetës është Brukseli, Prishtina nuk është në pozitat e dikurshme dhe imazhi i saj ndërkombëtar gjendet në kuota të ulëta. Po kështu, përfaqësuesit e Kosovës në këtë dialog nuk kanë një mbështetje konsensuale, por përkundrazi janë kritikuar nga opozita, e cila gjithë përgjegjësinë e ka adresuar tek Kryeministri Hashim Thaçi. Këto dhe arsye të tjera janë të mjaftueshme për të ngritur një hije të madhe dyshimi, se a rrezikohen interesat e Kosovës nga ky dialog.
Ndonëse në pozitë delikate, me institucione ende të dobëta dhe një klimë politike ku secila palë do të përpiqet të përfitojë pavarësisht ndjeshmërisë së çështjes, Kosova nuk rrezikon, madje mund të përfitojë nga procesi i Brukselit. Ajo duhet ta shndërrojë atë në një dialog me Serbinë dhe në negociata me BE. Pozita e palës serbe gjithashtu është delikate. Ajo kërkon me çdo kusht të arrijë progres në afrimin me BE, si një kartë që mund ta përdorë politikën e brendshme. Qeveria e Beogradit, e përfshirë nga ndryshimet dhe në pozita të lëkundura, do të mund të mbahej fort pas statusit të vendit kandidat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një sukses i tillë do të mund t’i bindte serbët të votonin partinë e Tadiçit, gjë që hapur i konvenon edhe Brukselit. Ky është momenti që pala shqiptare duhet ta shfrytëzojë në maksimum. Vetë ulja në tryezë është një favor jo i vogël që i bëhet Beogradit nga Prishtina, në përpjekjen e tij për anëtarësim në BE dhe në këmbim të kësaj nuk duhet lëshuar pe në asnjë prej kërkesave praktike që lehtësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve kosovarë. Nga doganat dhe hapësira ajrore e deri tek funksionalizimi i Kosovës në nismat rajonale e më gjerë.
Por anëtarësimi i Serbisë në BE është edhe karota e vetme që Brukseli ka në dorë për ta shkëputur atë nga politikat e vjetra dhe për të garantuar paqe e stabilitet në rajon. Edhe këtu, Prishtina zyrtare duhet të vendosë kushte. Ajo duhet të pranojë të jetë faktor lehtësues e jo pengues në këtë proces, por duke marrë diçka në këmbim. Lehtësimi i vizave sa më parë dhe në një afat kohor të përcaktuar, edhe një zgjidhje konkrete për integrimin e Kosovës në BE, mund të shndërrohen në objektiva kryesorë të Prishtinës në raport me Brukselin përgjatë dialogut me Beogradin.
Do të kishte qenë mirë që në këto synime, si për çështjet praktike ashtu dhe për afrimin me BE-në, klasa politike kosovare të kishte pasur konsenus dhe dërgata në Bruksel, të kishte një mbështetje më të madhe politike. Por gjithsesi, mungesa e këtij konsensusi nuk është dramë, madje është një fenomen normal demokratik. Ashtu si bashkimi i numrave me deputetët e pakicave për të bërë qeverinë është pjesë e demokracisë, ashtu dhe kundërshtimi apo dyshimi i opozitës ndaj mënyrës se si po shkohet në dialog me Beogradin mbetet legjitim. Qeveria nuk ka përse të ndihet e kompleksuar, apo të ndajë përgjegjësinë me rezoluta në Kuvend. Rezultatet e dialogut që sapo ka nisur, do të masin në fund të fundit edhe aftësinë e ekzekutivit të ri. Procesi i Brukselit më shumë se me fatin e Kosovës është i lidhur me fatin e vetë qeverisë. Dialogu nuk rrezikon as statusin dhe as integritetin e vendit. Ai është një provë për klasën politike në Prishtinë e Beograd dhe një test për një marrëveshje më të madhe politike që do tentohet të arrihet kohë më vonë. Batutat mes Editës dhe Borkos janë shenjat e para, që një e re politike ndoshta po afron.

© Panorama.al

Te lidhura