TIRANE – Shtohen edhe dy denoncime nga studentë të tjerë në lidhje me dhunën e truprojave të universitetit “Vitrina”. Pas arrestimit të 9 truprojave dhe presidentit të këtij universiteti, dy studentë kanë bërë padi në polici. Tani në dosje, veç studentit Fatjon Ismajlgeci, i cili njoftoi policinë mesditën e së martës duke lajmëruar se po dhunohej nga stafi i ruajtjes së sigurisë së universitetit, paraditen e djeshme edhe studentët Songert Beçaj dhe Klevi Dervishi kanë denoncuar të njëjtën gjë. Ata kanë deklaruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës se në periudha të ndryshme kohore janë rrahur e keqtrajtuar, për arsye fare banale, nga personat që tashmë janë arrestuar nga policia. Grupi hetimor që po shqyrton rrethanat e ngjarjes ka sekuestruar kamerat e sigurisë së universitetit privat, që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës dhe gjithashtu, veç deklarimeve të studentëve, ka marrë deklarimet edhe të pesë punonjësve të policisë që janë goditur gjatë ndërhyrjes së të martës. Sipas burimeve nga Policia, efektivat e Komisariatit Nr. 6 që kanë marrë mjekim në Spitalin Ushtarak, Agim Maleta, Korab Jata, Geg Doklaj, Alfred Hasanbelliu dhe Riza Neza, kanë deklaruar për grupin hetimor rrethanat se si ka ndodhur ngjarja. Ndërsa nga ana tjetër, përfaqësuesit e universitetit “Vitrina” hedhin poshtë pretendimet e policisë, duke pretenduar të kundërtën. Sipas rektorit të universitetit, Mario Kedhi, policia ka shkelur ligjin dhe ka dhunuar ambientet dhe stafin e universitetit. “Pa asnjë arsye të qenësishme është shoqëruar në Komisariatin Nr. 6 pedagogu i Fakultetit të Drejtësisë, Julian Gazeli, i cili është mbajtur i ndaluar plot 5 orë, pa asnjë motivacion. Gjithashtu, gjatë ndërhyrjes, pa asnjë shkresë apo urdhër zyrtar të shkruar, siç e kërkon ligji, efektivët e policisë kanë dhunuar në mënyrë flagrante çdo ambient dhe mjedis akademik, në kushtet e shkeljes së plotë të ligjit për arsimin e lartë”, u shpreh dje rektori Kedhi, gjatë një deklarate për shtyp. Ngjarjen e dy ditëve më parë në ambientet e universitetit, rektori Kedhi e ka quajtur një incident banal shkaktuar nga moskomunikimi korrekt mes një studenti dhe një punonjësi të këtij institucioni. Nga të dhënat e Policisë mësohet se incidenti ka ndodhur nga dhuna që truprojat kanë ushtruar ndaj studentit Fajton Ismajlgeci, i cili ka lajmëruar policinë. Ndërsa në momentin kur efektivat e Komisariatit Nr. 6 kanë shkuar në vendin e ngjarjes, janë përballur me dhunën e 9 truprojave, madje edhe të vetë presidentit të universitetit, Edmond Vlashaj, që po ashtu është arrestuar. Pasi pesë punonjës të policisë kanë përfunduar në Spitalin Ushtarak me plagë të ndryshme, grupi i gatshëm ka shoqëruar dhe më pas janë arrestuar 9 truprojat dhe presidenti Vlashaj, me akuzat “dëmtime të tjera me dashje” dhe “kundërshtim të forcave të policisë”.











