Arrestohen dy persona të dyshuar për dhunimin, kërcënimin dhe djegien e banesave të familjeve rome që banonin në afërsi të Stacionit të Trenit në kryeqytet.Policia e Tiranës tha dje se, në bazë të kallëzimeve që disa anëtarë të komunitetit rom kanë depozituar në Komisariatin Nr.3, është bërë i mundur identifikimi i dy prej autorëve të dyshuar të ngjarjes. Burime zyrtare nga policia thanë se Klodian dhe Besmir Vladi, përkatësisht 22 dhe 23 vjeç, banues te pallatet e reja, pranë vendit ku ndodheshin shtëpitë e romëve, janë ndaluar si përgjegjës për zjarrvënie të qëllimshme. Dy të ndaluarit akuzohen për “dëmtim të pronës me zjarr”, “plagosje të lehtë me dashje” dhe “prishje të rendit dhe qetësisë publike”. Sipas policisë, disa ditë më parë, në zonën e Stacionit të Trenit në Tiranë, dy të arrestuarit kanë pasur konflikt me tre të rinj të komunitetit rom, të cilët kishin ngritur volumin muzikës në oborrin e shtëpisë. Edhe sipas deklarimeve të dy të ndaluarve, kjo ka qenë arsyeja e konfliktit, pasi sipas tyre, romët po festonin me muzikë të lartë përgjatë orëve të vona dhe nuk pranonin të ndalonin muzikën. Klodian dhe Besmir Vladi dyshohet se pas konfliktit kanë kërcënuar dhe kanë plagosur lehtë tre shtetasit romë dhe më pas kanë shkatërruar me zjarr banesat e dy prej tyre, duke i djegur ato plotësisht. Kjo ka qenë arsyeja që familjet e komunitetit rom janë larguar nga vendi ku banonin prej disa kohësh dhe janë zhvendosur në zona të tjera të Tiranës dhe në rrethe.
PROCEDIMI PENAL
Rreth një javë më parë, Policia e Tiranës nisi procedim penal dhe vazhdon hetimet për zjarrvënie dhe shkatërrim prone, lidhur me largimin nga vendbanimi te Stacioni i Trenit të 45 familjeve të komunitetit rom. Për t’i ndihmuar oficerët e Policisë Gjyqësore në lidhje me hetimin, policia i ka ftuar romët që pretendojnë se janë kërcënuar dhe dhunuar që të bëjnë kallëzim penal te Komisariati Nr. 3, në mënyrë që të identifikohen dhe të arrestohen autorët. Sa i përket largimit të romëve nga banesat e tyre, që aktualisht janë djegur, policia ka sqaruar se ka zhvilluar disa takime me përfaqësuesin e komunitetit, duke i kërkuar që të mos shpërnguleshin nga vendqëndrimi i tyre, pasi policia do t’u vinte në ndihmë për çfarëdo shqetësim që do të kishin. Ndërsa përfaqësuesi i romëve nuk ka ngritur pretendime në lidhje me punën e policisë, por ka deklaruar me shkrim mbi largimin me dëshirë të banorëve romë nga kjo zonë dhe zhvendosjen e tyre në rrethe të tjera.
Romët, GSHDNJ: Jo diskriminimit
Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut i bën thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të marrin masa për të identifikuar, ndaluar dhe vënë para përgjegjësisë dhunuesit e familjeve rome. “Këto veprime të kundërligjshme tregojnë më së miri se diskriminimi ndaj minoriteteve me ngjyrë është ekzistent në Shqipëri, paçka se ka mbi një vit që është miratuar ligji për mbrojtjen nga diskriminimi dhe gjithashtu ekziston një strategji shtetërore për romët”, thuhet në deklaratën e GSHDNJ-së. Nga ana tjetër i kërkon Ministrisë së Punës dhe Bashkisë të Tiranës të mundësojnë kushte më të mira banimi dhe punësimi për romët që jetojnë pothuajse nën qiell të hapur. GSHDNJ i kërkon Ministrisë së Arsimit një interesim serioz për fëmijët romë të mbetur pa shkollë.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











