Dëshmitari implikon në vrasje veten dhe Limajn

Mar 19, 2011 | 12:28

PRISHTINE- Dyshimin për krime lufte ndaj Fatmir Limajt, EULEX-i e ka bazuar vetëm në deklaratën e dëshmitarit bashkëpunues,  që ka thënë të ketë vrarë në prill të 1999-s dy oficerë serbë. Sipas tij, ekzekutimi është bërë me urdhër të Limajt. Sipas deshmise qe i referohet EULEX-i, provë më bindëse në aktakuzën e mundshme përmendet zbulimi 11 muaj më parë i një dosjeje mjekësore të dëshmitarit bashkëpunues “X” në dhomën e gjumit të Limajt, gjatë një bastisjeje që është bërë pa praninë e avokatit.

Lajmi eshte botuar sot nga gazeta kosovare “Koha Ditore”, e cila zbardh dosjen dhe deshmine e personit kyc ne ngjarje, i cili ka thënë të jetë detyruar nga Limaj dhe njerëzit e tij të pranohej në spitalin psikiatrik të Prishtinës për ca kohë, për të diskredituar besueshmërinë e tij.
Limaj, një nga ish-komandantët e UÇK-së, që në luftë ka mbajtur nofkën “Çeliku”, dyshohet se ka urdhëruar dhe ka marrë pjesë në torturimin çnjerëzor të civilëve serbë e shqiptarë, në një kamp në fshatin Kleçkë në komunën e Lipjanit, si dhe të burgosurve ushtarë dhe policë serbë. Për këtë rast prokurori i special Maurizio Salustro ka ngritur kallëzim penal kundër tij dhe 11 të tjerëve.
Sipas shkresave të lëndës që ka siguruar “Koha Ditore”, dëshmitari bashkëpunues “X” përshkruhet si një ish-ushtar i UÇK-së që me profesion është vinçier dhe si një person relativisht i paarsimuar, i cili “sidoqoftë e kupton shumë mirë domosdoshmërinë e deklaratave dhe veprimet e tij”.
“Dëshmitari ‘X’ i angazhuar që në fillim në luftë për vendin në prill 1998 është caktuar në Brigadën 121 të UÇK-së nën komandën e përgjithshme të Fatmir Limajt. Ai qëndroi në UÇK duke kryer detyrat në Policinë Ushtarake deri në fund të konfliktit”, përshkruhet profili i dëshmitarit. “Ndërsa ai asnjëherë nuk ka pasur pozitë të lartë në UÇK, u respektua dhe u besua nga Fatmir Limaj dhe anëtarët e tjerë në rangun e lartë të UÇK-së, si një plak fshati dhe një person që mosha e tij ishte shumë më e madhe sesa mosha mesatare e ushtarëve të UÇK-së”.

 

© Panorama.al

Te lidhura