Dëmtohet Ibrahimoviç, Milani në alarm ndaj Barcelonës

Sep 13, 2011 | 11:59

Nuk kanë të sosur telashet për Milanin, ndërkohë që na ndajnë vetëm disa orë nga sfida e Champions-it kundër Barcelonës në “Kamp Nou”. Sulmuesi suedez, Zlatan Ibrahimoviç, ka pësuar një tërheqje muskulore në kofshën e djathtë gjatë stërvitjes së djeshme. Për rrjedhojë, kampioni kuqezi nuk është grumbulluar nga trajneri Alegri për këtë sfidë. Ibra pritet të nisë nesër terapinë intensive, mirëpo prezenca e tij mbetet në dyshim edhe për ndeshjen e së dielës, kundër Napolit në kampionat. Duke parë mungesën e suedezit, të gjithë tifozët kuqezi pyesin veten se si do të luajë Milani kundër Barcelonës. Nëse shikojmë listën e futbollistëve të grumbulluar nga Alegri, dallohet qartë që alternativat në sulm mungojnë. Tekniku ka në dispozicion vetëm dy sulmues, pra Paton dhe Kasanon. Robinjo vazhdon të jetë i dëmtuar, ndërsa Inzagi nuk është përfshirë në listën e Champions-et. Pavarësisht kësaj, kreu i pankinës do të përpiqet të ndërtojë një mesfushë cilësore, në mënyrë që mungesa e Ibrës të mos ndihet. Dhe për t’ia arritur qëllimit, Alegri mund të mbështetet te klasi i Klarens Sedorf dhe potenca e Kevin Princ Boateng. Për ndeshjen kundër Barcelonës, trajneri Masimiliano Alegri mendon të përdorë skemën 4-3-2-1, në të cilën Aleksandre Pato do të jetë sulmuesi i vetëm. Pas tij do të radhiten dy mesfushorë me tipare sulmuese si Klarens Seodrf e Kevin Princ Boateng. Për t’i dhënë akoma më shumë potencë mesfushës kuqezi, nuk përjashtohet aktivizimi që nga minuta e parë e mesfushorit Antonio Noçerino, i cili do të luajë përkrah Van Bomelit. Por, sipas disa thashethemeve të fundit që vijnë nga Spanja, trajneri i Milanit po mendon të aktivizojë që nga minuta e parë mesfushorin holandez, Urbi Emanuelson, i cili do të zërë vendin e fantazistit Antonio Kasano. Ky i fundit, meqenëse ka luajtur 90 minuta kundër Lacios, parashikohet ta nisë ndeshjen nga stoli.

Barcelona-Milan (20:45)

Formacionet e mundshme
Barcelona: Valdes, D.Alvesh, Pujol, Abidal, Adriano, Buskets, Ksavi, Iniesta, Pedro, Mesi, Vila. Trajner: P.Guardiola

Milan: Abiati, Zambrota, T.Silva, Nesta, Abate, Emanuelson, Van Bomel, Noçerino, Boateng, Sedorf, Pato. Trajner: M.Alegri

Alegri: Nuk kemi frike nga Barça

Në prag të ndeshjes kundër Barcelonës, trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, flet për mënyrën se si duhet të përballen kuqezinjtë me katalanasit. “Ne s’duhet të kemi frikë nga Barcelona, edhe pse janë kampionët e Europës. Pastaj, mos harroni se në futboll gjithçka mund të ndodhë. Për të pasur sukses në “Kamp Nou”, kërkohet përqendrim maksimal nga të gjithë, jo siç bëmë gjatë atyre 20 minutave të para kundër Lacios”.

Pep: Milani, i forte edhe pa Ibren

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, nuk e shikon të lehtë sfidën e sotme edhe pasi ka mësuar se Milani nuk do të ketë në dispozicion Ibrahimoviçin. “Milani është një nga skuadrat më të forta, ndaj nuk vlerësohet vetëm nga një lojtar. Sigurisht që me Ibrahimoviçin do ishte edhe më e vështirë, por unë mendoj se ata kanë lojtarë të tjerë që mund të na ndëshkojnë. Luajmë për fitore, pasi duam ta nisim mirë sezonin”, ka pohuar Pep.

“Galiani na bëri nder me Pirlon”

Blerja e Andrea Pirlos ishte marrëveshja e shekullit. Komentin e ka bërë veterani i Kombëtares së Italisë dhe Juventusit, Bufon, pas ndeshjes së parë që Juve e fitoi kundër Parmës. “Kur më thanë se ai po vjen, mendova ‘falë Zotit’”, ka thënë Bufon. “Duke e shikuar si luante dje, mendoj se Zoti ekziston, sepse ai ka aftësi të jashtëzakonshme futbollistike. Kur e takova në verë Galianin, i thashë faleminderit që ke menduar ta balancosh ligën”, tha Bufon.

© Panorama.al

Te lidhura