Dëmshpërblim për 441 të përndjekur

Mar 10, 2011 | 10:44

Qeveria miratoi dje listën e radhës së dëmshpërblimit financiar për ish-të përndjekurit politikë.Në total janë 441 përfitues, të cilët do të marrin këstin e parë. Ky kompensim llogaritet në 1.52 miliardë lekë ose rreth 15 milionë dollarë që do të ndahen në këste për 8 vitet e ardhshme. Në listë ndodhen emrat e përfituesve, së bashku me shumën që ata përfitojnë nga ligji. Në njërën kolonë ndodhet shuma përfundimtare, ndërsa në kolonën tjetër ndodhet shuma reale, pasi i janë bërë të gjitha zbritjet për përfitimet që mund të ketë pasur përfituesi në vite, si letra me vlerë, banesë etj. Në listë ndodhen 10 emra që nuk përfitojnë, për shkak se kanë marrë në vite letra me vlerë apo banesa nga Enti Kombëtar i Banesave. Rreth 30 prej tyre janë përfitues nga dënimi kapital, ndërsa të tjerë janë përfitues për dënimin e bërë në burgjet e diktaturës. Kryeministri Sali Berisha, kërkoi dje nga Ministria e Drejtësisë të përparësojë dëmshpërblimin e ish-të dënuarve, që janë mbi moshën 75 vjeç, si dhe të rishihet përllogaritja e dëmshpërblimit për këtë kategori, duke i vlerësuar këto si kërkesa të të drejtave të tyre. “Eshtë e domosdoshme që ish-të dënuarit në moshën mbi 75 vjeç, t’i përparësojmë në mënyrë absolute. Personat mbi këtë moshë mund të përfitojnë të parët, por edhe mund t’u rritet kësti, d.m.th, mund të bëhet një përllogaritje e veçantë mbi moshën 75 vjeç. Kam edhe kërkesa prej tyre dhe këto kërkesa janë logjike, qëndrojnë plotësisht dhe ju e keni marrë porosinë. Kështu që përveç përparësimit që mund t’u bëjmë në renditje, mund t’u bëjmë edhe një përparësim në sasinë që marrin. Nuk besoj të ketë kundërshtime nga të përndjekurit, sepse vërtet këta janë ata që duhet të përfitojnë të parët”, tha Berisha.

Per te pare artikullin e plote atehere klikoni mbi: PDF

© Panorama.al

Te lidhura