
Presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Legarde, ka deklaruar e sigurt se Greqia do të qëndrojë në eurozonë dhe se 2012-ta nuk do të jetë fundi i euros. Gjatë një vizite në Johanesburg, Legarde tha se: “Partnerët europianë kanë garantuar dhe konfirmuar vendosmërinë e tyre që Greqia të qëndrojë në zonën e euros”. Greqia po përballet me negociata të vështira me investitorët privatë,për t’i bindur ata në zbatimin e planit për faljen e 50 për qind të borxhit që shteti u detyrohet, sipas planit të miratuar në tetor 2010 në samitin e BE-së. Vendin e presin takime të tjera me trojkën e vëzhguesve financiarë, për të parë nëse Athina e meriton paketën e re prej 130 miliardë eurosh nga investitorët. Nëse ky plan nuk nënshkruhet nga palët, Kryeministri grek, Lukas Papademos, ka deklaruar se vendi do të falimentojë deri në mars. “Vija ime e kuqe është shpëtimi i vendit”, tha dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ku u miratua unanimisht projektligji i Ministrisë së Financave për rregullat që do të çojnë drejt krijimit të një programi të besueshëm financiar për periudhën 2012-2015. Ndërkohë, vendi tjetër problematik i Europës, Italia, duket se e ka marrë me frymë më optimiste problemin e borxhit. Kryeministri italian, Mario Monti, e ka nisur programin e tij këtë vit me disa vizita në Europë, duke përcjellë mesazhin se Europa nuk ka pse t’i frikësohet më Italisë. Monti ishte një ditë më parë në Bruksel dhe pritet të vizitojë edhe Parisin.











