Bashkim Dedja: Komisionet hetimore nuk votohen

Mar 19, 2011 | 9:59

Komisionet hetimore parlamentare janë përdorur nga politika për arsye politike.Në këtë konkluzion doli tryeza e konstitucionalistëve dhe juristëve të njohur, e mbledhur dje nga Institutit për Studime Gjyqësore dhe Kushtetuese që drejtohet nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, anëtari i saj, Sokol Sadushi, ish-kreu i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, konstitucionalistët Luan Omari dhe Njazi Jaho, por dhe kreu i misionit të BE-së në Tiranë, EURALIUS, Jakuin Urias, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese Kujtim Puto, ishin disa nga pjesëmarrësit në tryezën e djeshme. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, duke folur për debatin rreth objektit të komisioneve hetimore, tha se objekti mund të ankimohet vetëm në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ngritja e tyre nga Parlamenti është e detyrueshme. “Neni 77, paragrafi 2 i Kushtetutës, por dhe neni 25 i Rregullores së Parlamentit, besoj se komisioni ngrihet automatikisht pas depozitimit të kërkesës së një të katërtës së deputetëve. Këto janë dispozita detyruese. Në praktikën tonë, në rastet kur nuk është ngritur komisioni hetimor, bashkohem me parashtrimin se nuk duhet diskutuar ngritja e tij. Objektin e hetimit të komisionit hetimor mund ta gjykojë vetëm Gjykata Kushtetuese. Ka vend në ligj që të saktësohet hapësira e hetimit të komisionit hetimor”, u shpreh Dedja. Sipas tij, ka raste që ankimohen në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e atributeve të Rregullores së Kuvendit. “Sa i takon Rregullores, edhe kjo ka krijuar probleme. Mendimi im është se objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese duhet të bëhen ato momente që kërkojnë shqyrtim kushtetues. Konfliktet politike kthen në konflikte juridike dhe kjo përbën shqetësim për Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh kreu aktual i Gjykatës Kushtetuese. Duke folur për veprimtarinë dhe objektet e komisioneve hetimore të Parlamentit, juristët e njohur kërkuan që në të ardhmen të bëhen propozime konkrete për një amendim të mundshëm të ligjit, me qëllim zbatimin e tij për çështje që kanë të bëjnë me interesin publik dhe jo atë politik, apo ndaj një personi të caktuar të jetës politike. “Komisionet hetimore janë krijuar për motive politike, për t’u përdorur si instrumente politike ndaj kundërshtarëve politikë, brenda Parlamentit dhe jashtë tij. Janë shoqëruar me zhurmë e debate politike dhe thuajse nuk e kanë ushqyer asnjëherë organin e Prokurorisë, si organ të vetmin kompetent për të vënë përpara përgjegjësisë persona të veçantë të dyshuar fillimisht se kanë faj dhe për të cilët është menduar se duhej ngritur komisioni”, u shpreh Fehmi Abdiu. Pjesëmarrësit kërkuan që të rishikohet ligji sa i takon objektit të hetimit të komisioneve parlamentare, publikimit ose jo të materialeve hetimore, veçanërisht kur ato janë të klasifikuara, por, mbi të gjitha, faktin që raporti dhe përfundimet e këtij hetimi duhet t’i dërgohen organit të Prokurorisë. Përfaqësuesi i misionit të BE-së për legjislacionin, EURALIUS, në Tiranë, Jakuin Urias, kërkoi që hetimi politik të mos marrë peshën e një procesi gjyqësor. “Është gabim t’i jepet rëndësi gjyqësore çdo hetimi politik. Komisionet hetimore janë të rëndësishëm për zhvillimin e dialogut brenda Parlamentit, por përfundimi i çdo komisioni hetimor s’duhet marrë si përfundim i një procesi gjyqësor”, u shpreh Urias. Një tjetër pikë e debatit ishte dhe nevoja e pajisjes së Kuvendit dhe Presidencës me ligj organik. Në shumë raste është Rregullorja e Kuvendit që ka sjellë debat dhe diskutim rreth objektit të komisionit hetimor. Pjesëmarrësit në tryezë kërkojnë që dy institucionet kryesore të vendit s’duhet të veprojnë më përmes rregulloreve të brendshme të tyre.

Historia e komisioneve

Në historinë e Parlamentit shqiptar, komisionet hetimore janë shfaqur herët së funksionuari. Komisioni i parë hetimor parlamentar në Shqipëri është ngritur në 1925-n, me 7 anëtarë, i cili ka vënë përpara përgjegjësisë ish-ministrin e Financave të asaj kohe, Myfit Libohovën. Pas vitit 1991, me ardhjen e pluralizmit, rezulton se janë ngritur 27 komisione hetimore parlamentare. Kryesisht objekt i hetimit të tyre është bërë për çështje jo shumë të rëndësishme, siç përcaktohet në Kushtetutë, me karakter dhe interes publik, por ndaj individëve.

Jakuin Urias, nga EURALIUS

“Për mendimin tim do të ishte gabim t’i jepej rëndësi gjyqësore një hetimi politik. Politika është politikë dhe është e drejtë të besojnë në këtë të drejtë, por ne si avokatë e dimë se e vërteta politike është vetëm e vërtetë politike. Është gabim t’i jepet rëndësi gjyqësore çdo hetimi politik. Komisionet hetimore janë të rëndësishëm për zhvillimin e dialogut brenda Parlamentit, por përfundimi i çdo komisioni hetimor s’duhet marrë si përfundim i një procesi gjyqësor”, u shpreh përfaqësuesi i EURALIUS-it.

Diskutimet në tryezën e djeshme

Fehmi Abdiu: Janë krijuar komisione hetimore për çështje jo shumë të rëndësishme, siç përcaktohet në Kushtetutë, me karakter dhe interes publik, por për të hetuar individë të veçantë që kanë qenë personazhe në politikë dhe janë shfrytëzuar për këtë qëllim momentet e fushatave zgjedhore, ku palët akuzonin njëra-tjetrën. Pikëpamja ime se, bazuar dhe në thënien e Çurçillit, se “nëse do të mos zgjidhësh asgjë, krijo një komision hetimor parlamentar”, duket se është thënë enkas për kushtet ku ndodhemi ne.
Njazi Jaho: Është për t’u përshëndetur fakti se Gjykata Kushtetuese, në të gjitha vendimet pas 2003-shit, i është referuar vazhdimisht këtij vendimi interpretues dhe është për të ardhur keq se ky vendim bazë i saj është lexuar dhe interpretuar ndryshe për interesa politike, në momente të caktuara. Kjo është bërë për të justifikuar ngritjen e komisionit hetimor. Çështja e ngritjes së komisioneve hetimore në disa raste ka devijuar, ka kapërcyer kompetencat e Parlamentit.
Ermir Dobjani: I vetmi komision hetimor me objekt një çështje me interes publik, dhe jo për çështje politike, ishte ai për tarifat e telefonisë celulare. E kam ndjekur nga afër veprimtarinë e këtij komisioni si Avokat i Popullit, të drejtuar nga zoti Ceka dhe komisioni mblodhi shumë fakte abuzive. Isha i bindur se përfundimet e tij do të shkonin në prokurori. Përfundimet e këtij komisioni nuk u shtruan as në seancë plenare të Parlamentit që të miratohej, ose të rrëzohej, por nuk vajti as në prokurori. Qytetarët u zhgënjyen se pas përfundimeve të komisionit nuk u bë asgjë.
Luan Omari: Kam mendimin se duhet rregulluar me ligj se sa herë komisionet parlamentare dalin me raport ku ka shkelje të ligjeve, të jetë e detyrueshme që ato t’i çohen prokurorisë.
Bashkim Dedja: Dua të jap disa mendime pa e konfonduar me detyrën që kemi lidhur me komisionet hetimore. Neni 77, paragrafi 2 i Kushtetutës, por dhe neni 25 i Rregullores së Parlamentit, besoj se komisioni ngrihet automatikisht pas depozitimit të kërkesës së ¼ të deputetëve. Këto janë dispozita detyruese. Në praktikën tonë, në rastet kur nuk është ngritur komisioni hetimor, bashkohem me parashtrimin se nuk duhet diskutuar ngritja e tij, objektin e hetimit të komisionit hetimor mund ta gjykojë vetëm Gjykata Kushtetuese. Ka vend në ligj që të saktësohet hapësira e hetimit të komisionit hetimor. Sa u takon të dhënave, jam i bindur se të dhënat dhe materialet që përbëjnë informacion të klasifikuar nuk duhen bërë publike. Sa i takon Rregullores, edhe kjo ka krijuar probleme. Mendimi im është se objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese duhet të bëhen ato momente që kërkojnë shqyrtim kushtetues. Konfliktet politike kthehen në konflikte juridike dhe kjo përbën shqetësim për Gjykatën Kushtetuese.
Sokol Sadushi: Parlamenti nuk e ka kthyer vendimin e Gjykatës Kushtetuese në një mjet efektiv për të. Komisionet parlamentare kanë nxjerrë gjatë punës së tyre vetëm përgjegjësinë institucionale dhe aspak rregullimin ligjor. Kjo më çon në konkluzionin se hetimi parlamentar nuk ka qenë efektiv. Gjykata, në vendimin e 2003-shit, e ka sqaruar saktë se si ngrihet dhe çfarë heton komisioni hetimor. Ajo që është bërë nga Parlamenti ka qenë ajo që nuk ka thënë Gjykata Kushtetuese. Kuvendi, si një organ kushtetues që prodhon ligje, vetëfunksionon me një rregullore dhe nuk ka një ligj të vetin organik.
Fehmi Abdiu: Është mirë që Kuvendi dhe Presidenti, si institucione të rëndësishme të vendit, të kenë ligjet e tyre organike. Nuk më duket normale që institucioni që bën ligje për vendin funksionon me rregullore. Të paktën rregullorja të miratohej me 3/5 e votave të Parlamentit. Kjo nuk do të lejonte që rregullorja të ndryshohej sa herë do maxhoranca për lojërat e saj politike.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura