Një nga talentet më premtues shqiptarë që po rritet në futbollin italian është Xhoi Nuredini. Mesfushori i lindur në vitin 2007 ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi ka rinovuar kontratën me Xhenoan, klub që beson fort te potenciali i tij për të ardhmen.

Pas firmës së re me skuadrën italiane, Nuredini ka folur për “Il Secolo XIX”, ku ka ndarë emocionet e debutimit në Serie A, objektivat për sezonin e ardhshëm, si dhe admirimin e madh që ka për Kristiano Ronaldon.
DEBUTIMI NË SERINË A- Futbollisti shqiptar realizoi ëndrrën e tij duke debutuar në elitën e futbollit italian në sfidën ndaj Parmës. Edhe pse qëndroi në fushë vetëm pak minuta, ai e konsideron atë si momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij deri tani. “Hyra në minutën e 89-të. Debutimi zgjati vetëm pak minuta, por ishte momenti që e kam ëndërruar që kur nisa të godisja topin për herë të parë. Një emocion unik. Deri në minutën e 80-të nuk isha ngrohur fare, më pas trajneri më thërret. Gjithçka ndodhi shpejt, në mënyrë të papritur dhe pikërisht për këtë ishte edhe më e bukur. Për më tepër ishte një ndeshje direkte, rezultati ishte 0-0, dhe për mua ky ishte një sinjal shumë i madh besimi nga stafi teknik”, tha fillimisht Nuredini.
RINOVIMI ME XHENOAN- Rinovimi i kontratës me Xhenoan është padyshim një tjetër moment i rëndësishëm për mesfushorin shqiptar, i cili synon të bëhet pjesë e përhershme e ekipit të parë gjatë sezonit të ardhshëm. “Mezi pres ta shpërblej këtë gjest të klubit, të rikthehem të stërvitem me ekipin e parë dhe të luaj sapo të më jepet mundësia. Ëndrra ime e radhës është të shënoj në ‘Ferraris’”, tha mesfushori.
KRISTIANO RONALDO- Nuredini nuk e fsheh se idhulli i tij në futboll është Kristiano Ronaldo. Sipas talentit shqiptar, ajo që e bën portugezin të veçantë nuk është vetëm talenti, por puna e jashtëzakonshme dhe kujdesi për çdo detaj. “Kristiano Ronaldon e vlerësoj për përkushtimin e tij dhe kujdesin dhe fiksimin ndaj detajeve. Janë aspekte mbi të cilat punoj shumë edhe unë. Në Kupën e Botës, pa Italinë dhe Shqipërinë, do të bëj tifo për Portugalinë e tij”, tha Nuredini mes tjerash.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











