Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar nga autoritetet australiane, ku janë sekuestruar plot 2.7 ton kokainë, në atë që konsiderohet si goditja më e madhe ndaj këtij trafiku në historinë e vendit.
Sipas Policisë Federale Australiane, lënda narkotike me një vlerë që arrin rreth 500 milionë euro, ishte e fshehur në enë plastike brenda tre kontejnerëve, të vendosur nën dysheme të rreme në një pronë në zonën e Londonderry, pranë Sidneit.
Zbulimi u bë të premten, më 19 qershor, në një zonë gjysmë-urbane në perëndim të qytetit, në kuadër të një hetimi të gjerë ndaj një organizate kriminale që dyshohet për trafik droge përgjatë bregdetit lindor të Australisë.
Gjatë operacionit, policia arrestoi dy persona, të moshës 21 dhe 25 vjeç, të cilët tentuan të largoheshin në këmbë nga vendi i ngjarjes. Ata akuzohen për posedim të një sasie të madhe droge të importuar në mënyrë të paligjshme, vepër për të cilën rrezikojnë dënim me burgim të përjetshëm.
Autoritetet bëjnë me dije se kokaina ishte futur kontrabandë në Australi përmes qytetit Midge Point, në Queenslandin Verior, dhe më pas ishte transportuar drejt Sidneit me urdhër të një grupi të organizuar kriminal.
Operacioni në Londonderry është pjesë e “Operacionit Minjiang”, i nisur në muajin maj, pasi 40 kilogramë kokainë u gjetën duke notuar pranë një piste varkash në Midge Point. Në vijim të hetimeve, janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë në Queensland dhe Uellsin e Ri Jugor.
Po ashtu, një anije e dyshuar si “anije mëmë”, e përdorur për trafikun e drogës, është sekuestruar në Ishujt Solomon.
Komandanti i Policisë Federale Australiane deklaroi se ky rast tregon nivelin e lartë të organizimit të rrjeteve kriminale dhe metodat e sofistikuara që ato përdorin për të siguruar fitime të mëdha.
Australia konsiderohet një treg shumë fitimprurës për trafikun e drogës, ku një gram kokainë mund të shitet deri në 300 dollarë australianë. Sipas raportit global të OKB-së, australianët dhe banorët e Zelandës së Re kanë ndër nivelet më të larta të përdorimit të kokainës në botë.
© Panorama.al
















