Debate në PS, miratohen kandidatët vetëm në 7 bashki

Mar 28, 2011 | 10:41

Kryesia socialiste ka miratuar dje kandidaturat e saj për bashkitë kryesore që do të konkurrojnë në zgjedhjet vendore të 8 majit.Për katër orë rresht, anëtarët e kryesisë socialiste kanë mundur të rikonfirmojnë vetëm ato kandidatura që kishin marrë më parë konsensusin e strukturave të bazës dhe nuk kishin emra alternativë. Kryesia do të mblidhet sot paradite sërish për të përfunduar listën e kandidatëve të PS-së, ndërsa janë parë si problematike ato zona ku ka pasur më shumë se një kandidat. Rreziku se pretendentët e tjerë për komuna dhe bashki të caktuara mund të dalin të pavarur, duke çuar në humbje kandidatin socialist, detyruan kryesinë të shtyjë vendimin e saj për këto raste deri në limitet e afatit të caktuar për të dorëzuar listën përfundimtare në KQZ, që është data 28 mars. Gjithashtu, mbeten edhe disa komuna që janë në diskutim e sipër dhe me aleatët është lënë paraditja e sotme për t’u konsultuar edhe një herë me ta. Kryesia socialist nuk diskutoi fare listën e kandidatëve për Qarkun e Tiranës, për të shmangur mundësinë e daljes së ndonjë kandidati si i pavarur. Në disa njësi bashkiake të kryeqytetit, kanë dalë disa kandidatë alternativë, por dhe në disa komuna të Tiranës. Këto raste do të diskutohen sot në një përpjekje për të gjetur një konsensus të mundshëm mes kandidatëve. Ky ka qenë dhe shqetësimi kryesor i shprehur pas mbledhjes së kryesisë nga kreu i PS-së, Edi Rama, në një komunikim me mediat. Rama pohoi se kryesia kishte hasur vështirësi në përzgjedhjen e emrave, për shkak se sipas tij ka më shumë se një propozim për një numër të konsiderueshëm bashkish dhe komunash. “Kemi zona të tëra në të cilat është një zgjedhje e vështirë mes kandidatësh burra, gra, që i ofrojnë koalicionit, “Aleanca për të Ardhmen”, eksperiencën dhe cilësitë e tyre dhe, ndërkohë ne duhet të zgjedhim vetëm një”, ka theksuar Rama. Kreu socialist bëri publike emrat e kryebashkiakëve kryesorë të vendit që u rikonfirmuan nga kryesia socialiste, por dhe dy deputetëve, Gjok Jaku, që kandidon në Lezhë, dhe Fatos Tushe në Lushnje.

Kandidatët e PS

Durrës
Vangjush Dako

Korçë
Niko Peleshi

Elbasan
Qazim Sejdini

Vlorë
Shpëtim Gjika

Fier
Baftjar Zeqo

Lezhë
Gjok Jaku

Lushnjë
Fatos Tusha

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura