Pas dasmës civile në Londër, Dua Lipa dhe Callum Turner pritet t’i thonë “PO” njëri-tjetrit edhe në një ceremoni madhështore që është raportuar se do të mbahet në Palermo të Italisë këtë fundjavë, nga datat 5-7 qershor.
Ylli i muzikës me famë botërore do të mbledhë personazhe të famshëm në ditën më të rëndësishme të saj, megjithatë, nga sa raportohet, ajo nuk do të lërë pas as motivet që lidhen me origjinën e saj shqiptare.
Mediat në Kosovë kanë raportuar se dy këngëtarët shqiptarë Sinan Vllasalliu dhe Besnik Qaka do të këndojnë në dasmën e yllit të famshëm, megjithatë nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga ana e tyre.
Mediat italiane raportojnë se tashmë çifti kanë “zbarkuar” në territorin italian me një avion privat në fshehtësi të plotë. Ata thuhet se zbarkuan në Aeroportin Ndërkombëtar Falcone-Borsellino të Palermos të mërkurën, më 3 qershor, në orën 22:36.
Çifti udhëtoi nga Londra në bordin e një avioni privat Cessna Citation XLS+, i cili thuhet se kushton 3,600 euro në orë.

Eventi i parë është planifikuar në Galleria d’Arte Moderna, e cila do të jetë e mbyllur për publikun nga ora 14:00 e së premtes për t’i lejuar çiftit një ceremoni private me mbi 200 të ftuar. Për këtë rast, Piazza Sant’Anna dhe Piazza Croce dei Vespri aty pranë do të rrethohen dhe hyrja do të ndalohet për vizitorë të paautorizuar.
Të ftuarit dhe çifti do të qëndrojnë në disa nga hotelet më prestigjioze të qytetit, duke përfshirë Villa Igiea, Grand Hotel et Des Palmes dhe Grand Hotel Piazza Borsa.
















