Arsyet e zënkave në çift janë po aq të shumta sa arsyet e dashurisë. Për shembull, disa çifte besojnë se dashuria nuk ka të bëjë me paratë, dhe që këto të fundit nuk kanë fare rëndësi në një lidhje (ata që nuk i kanë e kuptojnë më mirë se rastet e anasjella!). Gjithsesi, duke lënë mënjanë teoritë e librave, e dimë mirë se përqindjet më të mëdha të zënkave në çift shkojnë pikërisht në favor të parave. Ndoshta, në fazat e para të dashurisë, është e vërtetë që nuk mendohet shumë për paratë, por më pas, me rritjen e marrëdhënies, kjo temë nis e bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Kur, për shembull, planifikohen pushimet e para së bashku, mund të vësh re që nuk je në gjendje të përballosh shumën që ka menduar të shpenzojë partneri (rastet që i kanë të përfshira në paketë shërbimin dhe paratë nuk ia vlen t’i përmendim apo jo?!). Këtu mund të kuptosh për së pari se të pëlqen vetëm filozofia e tij për jetën, por jo rroga!
Të harxhuarit e parave duhet të jetë një proces i ekuilibruar në një marrëdhënie, sepse nëse është gjithnjë njëri prej të dyve që do paguajë për tjetrin, do vijë shpejt koha që do nisin tensionet. Por, nëse në çift i keni rrogat me diferenca të konsiderueshme, më i pasuri prej të dyve domosdo që do jetë edhe ai që merr në dorë situatën, duke shpenzuar apo frenuar dorën më shumë se tjetri.
Por edhe kjo ka rrezikun e saj: mund të sjellë keqkuptime apo debate (nëse ndonjëri prej jush është nga Gjirokastra deri diku edhe Korça, debati mund të marrë edhe për kot), në të cilat njëri prej të dyve do të ndihet gjithnjë inferior.
Paratë, në shoqërinë tonë, janë tregues pushteti dhe pavarësie: vetëm se duhen përdorur në mënyrën e duhur, të paktën për aq sa e ke të mundur. Nëse fiton më tepër, mos e tepro me dhuratat e shtrenjta që nuk bëjnë gjë tjetër veçse e vënë në situatë të sikletshme partnerin, sado që mund të mos të ta përcjellë shijen e kësaj ndjesie (Kujt nuk i pëlqejnë, do thoni ju?! Por, mund të mos mendohet kështu…).
Kur partnerët e një çifti vendosin të bashkëjetojnë, paratë bëhen problem më tepër se ç’ishin deri përpara këtij vendimi. Nuk ka rëndësi se sa shumë duheni. Përpiqu që të kesh një llogari tënden bankare, në vend të një të përgjithshmeje. Shumë të përbashkët konsideroni vetëm faturat që janë në kurriz të shtëpisë, përfshi dhe qiranë që mos e paçi! Në këtë mënyrë, kostoja e jetesës ndahet në mënyrë të barabartë. Sa i përket shopingut, ngelet në sferën personale, mund të shpenzoni sipas xhepit. Natyrisht që ardhja në jetë e fëmijëve nuk do t’ju lejojë më pas që t’i ndani gjërat me thikë, por edhe në këtë rast bëni mirë që të keni gjithsesi dy llogari të ndryshme. Nëse edhe pas këtyre përkujdesjeve nuk arrin t’i shmangësh zënkat, atëherë ngushëllohu: paratë nuk mund ta blejnë dashurinë! (Sikur të ishte ende e vërtetë!)
Sa vlerë kanë paratë në një lidhje dashurie?
Studimet tregojnë që sot, menaxhimi ekonomik i shtëpisë dhe fëmijëve është shumë i vështirë e për pasojë bëhet rast zënkash mes partnerëve. Të mbërrish deri në fund të muajit pa u shqetësuar për pazaret, faturat, është kthyer tashmë në prioritet. Pikërisht për këtë arsye marrëdhënia mbërrin deri në shpërthim. Sigurisht që paratë nuk bëjnë lumturinë e çiftit apo të jetës në përgjithësi, por shpesh janë burim kryesor tensionesh. Madje, në mënyrë progresive, mund të çojnë deri në ndarje. Kështu që, përpara se t’i hyni marrëdhënies me kokë, është mirë që ta konsumoni këtë argument. Në shumicën e rasteve, ndodh që ta shtyni këtë bisedë sa më shumë të mundeni dhe kur kujtoheni, është shumë vonë. Rrotull nesh dominojnë meshkujt që kanë nevojë të dominojnë dhe të kontrollojnë jetën e tyre me para dhe pushtet, dhe natyrisht që bëjnë të njëjtën gjë edhe me bashkëshorten apo shoqen e ardhshme. Por, nga ana tjetër, janë edhe ato femrat që nuk do pranonin kurrë të rrinin me një burrë që të mos u siguronte një farë niveli jetese, pra veshje, gurë të çmuar, udhëtime (po shtohen gjithnjë e më shumë, ndonjë lezet duhet ta kenë me siguri!).
Klodiana Shala: “Mos më lini karta në dorë”
Që Klodiana Shala ka një kuletë të sajën tek e cila nuk ndërhyn askush, as njerëzit më të afërt, siç është bashkëshorti i saj Taulanti, këtë mund ta marrim me mend të gjithë. Por a i mjaftojnë? Asnjëherë! Madje është e ndërgjegjshme edhe vetë, aq sa ka më tepër besim kur i mban paratë i shoqi. Kështu do evitonte të bënte kërdinë e të mbeteshin të gjithë me gisht në gojë. Frika më e madhe është kur ka për të shkuar jashtë shtetit. Është e sigurt që përpara vitrinave nuk mund të përmbahet, kaq e njeh veten! Natyrisht që e njeh edhe Taulanti, që nuk harron ta porosisë gjithnjë përpara se të niset për ndonjë rrugë! “Aman, na lër ndonjë gjë”. Kartat e tij i ka gjithnjë më përzemër Klodiana Shala “Ka një që është e mirë fare”. Në fund, Taulant Stermasit, që është i zoti me menaxhimin e parave jo vetëm brenda shtëpisë, me paratë por edhe në institucionet ku ka punuar si në bankë etj, i mbetet kontrolli i kuletës së shtëpisë vetëm me fjalë sepse në fund e di që nuk do të mund t’ia kthejë dot fjalën Klodit apo t’i prishë qejfin. Kështu kartat e tij ‘të mira’ janë të shpëtuara deri në vitrinën e radhës.
Elvana Gjata: “Paratë mbyllen në bankë”
Gjithnjë e më shumë këngëtaret shqiptare është e vështirë t’i gjesh në Shqipëri. Po kapërceve kufijtë, shumë është gjithnjë më e majme dhe e ardhmja e tekat më të lehta për t’u plotësuar.
Ajo ka një axhendë plot me koncerte prej shumë vitesh. Që në fillim ka vënë kushte për të kënduar këngët që ajo do dhe mbi të gjitha për të marrë pagesën që ajo kishte përcaktuar. Në një koncert, dikur është paguar mesatarisht 2000 euro, ndërkohë që nuk e dimë se sa kanë evoluar kërkesat në këtë pikë. Nuk është e vështirë të duash të jesh pjesëmarrës në një koncert ku këndon Elvana Gjata. Nuk e mohon askush që përkrah zërit, edhe një pamje tërheqëse është e këndshme për t’u parë. Megjithatë Elvana ka një ndryshim nga moshataret e saj, “Nëse shumë miq të mitë fantazojnë që gjithë paratë t’i shpenzojnë nëpër butikë, duke bërë shpenzime të kota në veshje të shtrenjta apo makina luksoze, unë, pas çdo pagese të koncertit, i depozitoj paratë në bankë. Aty janë më të sigurta dhe do të më duhen për një investim më dinjitoz pak kohë më vonë”.
Enada At’Nikolla: “Jam dyfish e pasur”
“Po, kam veshur 5 fustane dhe të gjitha i kam bërë me dorën time. Unë nuk jam martuar vetëm me një ceremoni. Kam bërë disa dasma. Jam martuar edhe në Selanik, edhe këtu. Jam martuar përgjatë një muaji. Shkova në Greqi, se disa njerëz i kisha atje. Së bashku me shoqërinë atje kemi kaluar disa ditë shumë të bukura. Martesa ime atje është realizuar buzë detit. Ndërsa në ditën e beqarisë kam kaluar me limuzinë me ekipin e shoqeve, që rrinim në ato kohë”. Vite më vonë, Enada At’Nikolla ka vijuar për çdo përvjetor të martesës së saj të festojë. Kaq duhet për të kuptuar se për shpenzime të tilla, as ajo e as bashkëshortit nuk e vrasin fort mendjen. Sikur ta kishte ditur qysh atëherë Enada, në atë sfilatën e vitit 1995, kur së pari u kryqëzuan shikimet e modeles me biznesmenin se ai ishte ai i duhuri në të gjitha aspektet. Më vonë zbuloi edhe ndjesitë e tij që sapo e kishte parë e kishte zgjedhur. Asnjërit prej të dyve nuk i gabuan ndjesitë. Në nivele të tilla mirëqenieje, asnjëri prej të dyve nuk e vret mendjen se pinin e cilës kartë është duke shtypur për të paguar faturën e radhës, (i shoqi jo e jo). Po tek e fundit, kush nuk do ta donte një dashuri me shikim të parë që të kishte këtë rrjedhë?! “Jam e pasur edhe nga ana monetare, edhe nga ana shpirtërore, i kam të dyja. Kam një lidhje shumë të mirë të dy pasurive që ju përmenda, prandaj nuk përhumbem. Sigurisht që të pasurit e lekëve më ndihmon të kem çdo gjë tjetër që më pëlqen dhe që më pasuron shpirtin. Nuk i ndaj dot, se unë gjithmonë kështu kam jetuar, si princeshë. Unë për vete e kam ditur që gjërat e mia do t’i kem gjithmonë shumë të mira. Jam natyrë shumë optimiste. E pse ta mohoj?
Ekstremi tjetër…
Do t’ju njohim në vijim me disa nga vendimet e këtij viti të Gjykatës së Tiranës, ku njëri prej partnerëve (femër) kërkon divorcin nga i shqoqi. Më poshtë kemi shkëputur vetëm rastet kur shkak për divorcin bëhet mungesa e të hollave.
B.A. kërkon zgjidhje
martese nga A.B.
“Paratë e familjes po shkojnë te lojërat e fatit”
“Sipas palës paditëse, me rifillimin e jetës së përbashkët, marrëdhëniet nuk kanë qenë të qëndrueshme dhe në jetën e tyre bashkëshortore filluan të jenë prezente mosmarrëveshje të shpeshta, të cilat vinin për shkak se i padituri kishte filluar të luante lojëra fati, si pasojë e të cilave ka humbur shuma të hollash, ç’ka ndikonte drejtpërsëdrejti jo vetëm në gjendjen e ekonomisë familjare duke bërë që i padituri të mos përmbushte rregullisht detyrimet e tij në familje, por edhe në mënyrën e sjelljes së të paditurit ndaj saj, sjellje kjo që filloi të karakterizohej nga mungesa e korrektësisë dhe e sinqeritetit të të paditurit në marrëdhëniet në cift.
O.D. kërkon
zgjidhje martese nga L.D.
“Nuk po shlyejmë dot borxhet”
Kjo martesë është lidhur me shkuesi. Bashkëshortët janë njohur në vitin 2001, me ndërmjetësinë e personave të tretë.
Pasi kanë qëndruar dy vjet në njohje midis tyre, në vitin 2003 ata kanë lidhur edhe martesën ligjore.
Me padinë në gjykim, pala paditëse parashtroi se gjatë viteve të para të martesës marrëdhëniet midis bashkëshortëve kanë qenë shumë të mira. Ato janë karakterizuar nga dashuria, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjëllë midis bashkëshortëve.
Por më pas marrëdhëniet midis dy bashkëshortëve nuk kanë qenë më të qëndrueshme, dhe në jetën e tyre bashkëshortore filluan të jenë prezente mosmarrëveshje të shpeshta, të cilat, sipas palës paditëse, vinin për shkak se i padituri filloi të mos kontribuonte në përballimin e shpenzimeve familjare, si dhe në pagimin e kredisë që bashkëshortët kishin marrë për të blerë apartamentin ku banojnë aktualisht, duke mos përmbushur kështu detyrimet e tij për ndihmë materiale dhe për bashkëpunim në interes të familjes.
ANI JAUPAJ
© Panorama.al











