Cunamet në Shqipërinë urbane

Mar 27, 2011 | 10:27

SAZAN GURI

Në fakt, shumë pak dokumentime mund të ketë për rajonin bregdetar shqiptar, ku të jenë shënuar raste të cunameve apo të tërmeteve në brendësi të detit Mesdhe dhe aq më pak brenda detit Adriatik. Ndërkohë që, në kohë historike janë regjistruar tërmete shkatërrimtare për zonat bregdetare, si Durrës, Vlorë etj., ku pothuajse janë rrafshuar lagje dhe qytete të tëra, duke bërë që edhe të shkëputen vazhdimësitë civilizuese. Ngjasi të tilla janë përsëritur në qytete të shumta bregdetare të botës, si në Amerikë, Japoni dhe së fundi në Azinë Juglindore, ku kjo e fundit vazhdon të bëjë apel edhe për ndërtuesit, politikëbërësit dhe veçanërisht për vendimmarrësit shqiptarë se cunami është një ndër rreziqet që u kanoset projekteve dhe ndërtimeve arkitekturore e urbane, megjithëse ka mori rreziqesh të tjera gjeonatyrore që i aviten keqas jetës civile dhe banorëve.  Në Amerikë për shembull, në vitet ’50, u arrit të ndërtohen në zonat bregdetare pranë derdhjes së lumit Misisipi, në Teksas, projekte të arrira nga pikëpamja arkitekturore, por nuk vonoi shumë kur ato u gjendën përballë gjeorreziqeve të mëdha, si përmbytje, hurikane, subsidencë, lëngëzime të rërave, rrëshqitje të shpateve bregore, zhvendosje të vijës bregore, lëvizje dunash etj. Dhe në vitet ‘60, vetë shkencëtarët amerikanë hartuan libra udhërrëfyes, ku njëherësh, duke i kërkuar në një farë mënyre falje popullit të tyre, iu tregonin kombeve të tjera se, pavarësisht nga përsosja dhe zgjidhja harmonike që mund t‘i jepet një fushe të caktuar, veç e veç, si infrastrukturës urbane apo arkitekturore, ajo përbën një rrezik potencial për mjedisin natyror dhe njerëzor nëse nuk vlerësohen analitikisht kushtet dhe parametrat e disiplinave të tjera (gjeoshkencat), aq më keq kur i nënvlerëson ose nuk i merr në konsideratë ato.
Praktikisht, në zonat bregdetare shqiptare, me të vërtetë mund të ketë shumë pak cuname, por aty nuk do të mungojnë kurrë gjeorreziqet e tjera të sipërpërmendura, që nuk janë të pakta dhe kanë kohën e tyre të ndodhisë. Si çdo gjë tjetër, në ligjet e natyrës këto dukuri nuk lindin pa shkak dhe kanë një sekuencë zhvillimi që shumica e inxhinierëve civilë ndërtues, urbanë dhe ca më keq ata vendimmarrës, kurrë nuk arrijnë ta kuptojnë. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që në zonën tonë bregdetare janë ndërtuar komplekse veprash prej 20 vjetësh pranë vijës bregore, nëpër duna natyrore, pranë zonave kënetore e moçalore, pranë zonave me subsidencë të lartë, pranë zonave me thyerje tektonike, pranë dhe në zonat me dru pyjorë, në grykëderdhjet e përrenjve të tharë dhe sot vazhdojnë të ndërtohen po aty, pa respektuar as kushtin më minimal të vetëmbrojtjes natyrore, atë të largësisë prej 200 metrash, që është ende me ligj në Republikën tonë.
Theksojmë se në vendet e tjera ndërtimet e para bregdetare realizohen në kushte të distancës prej 300 metrash (Italia), 600 m (Franca), 900 m (Anglia), ndërkohë që ne, si kudo dhe për çdo gjë të parët, ndërtojmë 50 metra larg vijës bregore. Njohja dhe vlerësimi i parametrave gjeologjikë si facia litologjike; i parametrave gjeoteknikë si vetitë dhe veçoritë e dhérave; i parametrave hidrogjeologjikë si vetitë fiziko-kimike të ujërave nëntokësore; i parametrave sizmologjikë si veçori të tërmeteve të zonës, sforcimet tektonike dhe i mundësisë së lëngëzimit të rërave të zonës bregdetare; i parametrave hidrologjikë si bilancet dhe prurjet ujore; i parametrave gjeomorfologjikë si vlerësimi i raportit gjeomorfologji-urbanizim, përbëjnë një nga kushtet bazë për zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë të çdo sipërmarrjeje teknike në sipërfaqe, si dhe për evidentimin e shkaqeve dhe të pasojave që lidhen me mosfunksionimin normal të tyre.
Çfarë po ndodh në studimet shqiptare sot? Ndërtimorët dhe konstruktorët interesohen për një relacion gjeoteknik, që shpesh edhe fotokopjohen në zyrat e bashkive dhe shërbehen si hesap i qëruar. Edhe në rastet kur këto relacione bëhen të plota, ato përbëjnë një nga zgjidhjet e kanosjes së gjeorreziqeve natyrore. Sepse deri sot, nga të interesuarit e mësipërm, kurrë nuk kërkohen qëndrime shkencore dhe analitike për kanosjet e tjera të dukurive të rrezikshme ndaj veprës së tyre arkitekturore dhe urbanistike. Imagjinoni të thurni një lagje të denjë dhe për t‘u pasur zili nga pikëpamja arkitekturore, por që është në fushën e ish-grykëderdhjes së një përroi të tharë, prapa shpine, me aktivitete të braktisura, me procese të fjetura, por që mbarsen dhe në një ditë të bukur me diell e befas me shi kthehet në uragan me ujë e sele balte. A nuk përbën kjo cunam të vërtetë? Raste: përroi i Zagores së Uznovës, Berat, përrenjve në rivierën shqiptare drejt detit Jon. Imagjinoni të thurni një lagje të denjë dhe për t‘u pasur zili nga pikëpamja arkitekturore, por që është përgjatë pjerrësisë në kodrinë buzë detit, për të cilën studimi gjeoteknik deri në 10-15 metra rezulton pa pasoja, por lëvizjet e thella sizmotektonike, të varrosura, të thella, pasive, kthehen papritmas sipas një sekuence të caktuar në aktive, duke gjeneruar tërmete, rrëshqitje e vidhisje. Raste: kodrat e Kallm-Currilave (Durrës), Belvedere (Vlorë), Shën Pjetër (Rodon). A nuk përbën kjo një cunam të vërtetë? Imagjinoni të thurni një lagje të denjë dhe për t‘u pasur zili nga pikëpamja arkitekturore, por që është në një zonë me rërë me disa metra thellësi dhe me aftësi që lëngëzohet e rrjedh nga një lëvizje e tokës si tërmet etj., edhe kur ky i fundit ndodh në distancë me kilometra larg. Pasoja: toka zhytet, subsidohet së bashku me ndërtimin, deri në 7-10 metra. Raste: Japoni, Amerikë, Durrës (lagjja mbi Kënetë), Golem (kur të ndodhë tërmeti, pasi rërat e tij e kanë këtë aftësi). A nuk përbën kjo cunam të vërtetë? Imagjinoni të thurni një lagje të denjë dhe për t‘u pasur zili nga pikëpamja arkitekturore, por që është në një zonë bregdetare, me procese të larta eroduese, për shkak të një ndërtimi pingul me detin në një x largësi prej tij, ose të një zhvendosje natyrale të deltës së lumit, ose të zvogëlimit të prurjeve lumore në grykëderdhjet e tyre në det, ose të një rritjeje relative të nivelit të detit. Pasoja: valët e detit, pasi pengohen në këto procese si randal etj., përplasen drejt kësaj zone, duke eroduar dhunshëm dhe shumë shpejt bregun. Raste: bregu i Semanit, i Erzenit, Velipojës, Patokut, Porto Romanos etj. A nuk përbën kjo një cunam të vërtetë? Imagjinoni të thurni një lagje të denjë dhe për t‘u pasur zili nga pikëpamja arkitekturore, por që ngrihet në një zonë jo larg një dige, ose ku nuk qarkullon ajri apo lëviz me vështirësi, ku era dhe shirat, në një përqindëshin e tyre të sigurisë, të ndodhisë së tyre shkaktojnë gjëmën si shkulje, përmbytje etj. A nuk përbën kjo cunam të vërtetë? Të gjitha ligjet e natyrës, kur nuk i respekton, përbëjnë dhe veprojnë si një cunam i vërtetë, po aq të rrezikshëm dhe të shpejtë, po aq vdekjeprurës dhe përpirës. Pra, nuk ka se si të mos merren në konsideratë, madje të projektohet në ligj domosdoshmëria e kryerjes së studimeve më vete të gjeorreziqeve apo të një studimi gjeomjedisor, ku të integrohen projektet urbanistike e arkitekturore me ato të gjeorreziqeve natyrore (subsidencë, thyerje tektonike, erozione, rrëshqitje, lëvizje vijë bregore e dunash etj.). Kur studimet e duhura bëhen së bashku, çdo gjë është e arrirë. Nuk duhet të na ndodhë e të kujtohemi. Nëse kafshët i parandiejnë gjeorreziqet me sensorët përkatës në putrat e tyre, njerëzit duhet t‘i parandiejnë ato me sensorët në mendjet e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura