Çmimet, gjobë 1 milion USD Telekomit

Nov 2, 2011 | 14:21

Ministria e Ekonomisë dyshon se Albtelcom ka bërë faturime jashtë standardeve që përcakton ligji dhe, nga ana tjetër, ka fshehur kosto shtesë për shërbimin e internetit. Nëse këto akuza të sinjalizuara nga konsumatorët do të vërtetohen nga strukturat që po merren me këtë rast, kompania rrezikon një gjobë prej 1 milion dollarësh. Në një njoftim për shtyp ditën e djeshme, Ministria e Ekonomisë bëri me dije se rasti i ka kaluar për shqyrtim Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorit së bashku me ankesat që janë regjistruar. “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka marrë një numër të madh ankesash nga qytetarët shqiptarë, në adresë të Albtelecom. Sipas tyre, kjo kompani ka mungesë transparence në mënyrën e faturimit të padetajuar të shërbimit të telefonisë fikse, si dhe praktikën e mospërfshirjes së TVSH-së në çmimet e ofrimit të shërbimit internet”, thuhet në deklaratën e Ministrisë. Menjëherë pas këtyre ankesave, ministri Nasip Naço i ka kaluar përgjegjësinë e hetimit strukturave përkatëse brenda Ministrisë për të parë më nga afër rastin. Sipas Ministrisë, kjo nuk është hera e parë që për Albtelcom ka ankesa për praktika antiligjore në dëm të konsumatorëve. Ligji detyron kompaninë që në faturimet që ajo kryen, të japë të detajuar çdo informacion, duke filluar nga bisedat, te kohëzgjatja, impulset apo çmimi total. Nga ana tjetër, lidhur me shërbimet e internetit, kompania sipas METE është e detyruar në rastin e një ftese për blerje në çmimin përfundimtar duhet të përfshihet edhe TVSH-ja e të gjitha taksat e tjera. “ALBtelecom, në kundërshtim me këtë ligj, ka fshehur vlerën e TVSH-së në tarifat e ofruara për shërbimin e internetit. Bazuar në këto të dhëna, METE kërkon nga Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit, zbatimin me përpikëri të ligjit, i cili në këtë rast parashikon një gjobë rreth 1 milion dollarë për operatorin Albtelecom”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. ALBTELECOM I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kompanisë Albtelecom lidhur me deklaratën e Ministrisë së Ekonomisë. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, kompania ka shpjeguar se e ka të vështirë të kuptojë deklaratën e Ministrisë, ndërkohë që nga ana tjetër ka preferuar të japë detaje me investimet që kompania ka kryer gjatë këtyre viteve. Së pari është sjellë në vëmendje shifra e investimeve të kryera, e cila vlerësohet të jetë plot 150 milionë euro, të cilat kanë shkuar në favor të shërbimeve dhe ofertave cilësore. “Me sistemin e saj të ri që u krijua në Albtelecom pas privatizimit, çdo ankesë e ardhur nga klientët është hetuar me kujdes nga kompania. Tashmë ne po rrisim çdo ditë e më shumë kënaqësinë e konsumatorit duke marrë masa profesionale. Për këtë arsye, ne e kemi të vështirë të kuptojmë deklaratën e fundit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës”, thuhet në deklaratë.

Penalizohen 67 kompani: S’kanë plane minerare

Plot 67 kompani që operojnë në sektorin minerar dhe që nuk paraqitën në kohë planet e tyre të punës, janë gjobitur nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Dje kjo agjenci bëri më dije se masat administrative u morën, pasi kompanitë shkelën ligjin që rregullon veprimtarinë e tyre dhe që i detyron ato të paraqesin në kohë planin vjetor. Grupi i punës pranë AKBN-së në shqyrtimin e dokumentacionit të kompanive ka hasur në një seri shkeljesh, të cilat kanë çuar në marrjen e vendimit për gjobë. “64 subjekte nuk kanë paraqitur planin vjetor të punës dhe informacionin vjetor financiar, dy subjekteve u ka mbaruar afati i lejes minerare dhe nuk kanë paraqitur pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore asnjë dokumentacion. Ndërsa nga një tjetër subjekt është propozuar revokimi i lejes minerare për shkak se që nga marrja e lejes minerare, nuk ka paraqitur asnjë lloj dokumentacioni”, sqarohet në një deklaratë të AKBN-së situata. Ndërkaq, nga kjo e fundit theksohet se për kompanitë që duan që të vijojnë punën e tyre në këtë sektor, lind detyrimi i pagimit të gjobës, si dhe i paraqitjes së plotë të gjithë dokumentacionit e detajeve që përcakton ligji, në të kundërt masat mund të jenë edhe më të rënda. “AKBN bën me dije se subjektet do të jenë në vëzhgim dhe objekt i kontrolleve të vazhdueshme. Nëse ky institucion vëren se do të vazhdojë mosrespektimi i detyrimeve ligjore, atëherë një nga masat që do të merren është propozimi i revokimit te lejes minerare”, thuhet ne njoftimin e AKBN.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura